Kjo është një çështje e madhe shumë e rëndësishme kundër të gjithë kolosëve të botës së teknologjisë. Paul Allen, gjysma tjetër e Bill Gates, ka vendosur të dalë nga “strofulla” e tij dhe të rikthehet në skenë dhjetë vjet pas lamtumirës në Silicon Valley. Cilët janë armiqtë? Pak a shumë të gjithë, duke filluar nga kompania e famshme “Apple” për të vazhduar tek ajo “eBay”, “Facebook”, “Google”, “Yahoo”, “AOL”, “Netflix”, “Office Depot”, “OfficeMax”, “Staples” dhe “YouTube”. Themeluesi 57-vjeçar i “Microsoft”-it, me një llogari bankare prej 16 miliardë dollarësh, gjë që e rendit në vendin e njëmbëdhjetë të personave më të pasur të Shteteve të Bashkuara, akuzon kompanitë e lartpërmendura se kanë dhunuar katër patenta që kanë qenë në pronësi të tij. Patentat janë regjistruar në vitet ’90 dhe ruajnë çelësin për suksesin e sajteve të kërkimeve në rrjet. Allen akuzon grupe të ndryshme për cenimin e patentave të “Internal Research”, një laborator i krijuar më 1992-shin, që u mbyll përfundimisht në vitin 2000. Me atë rast, të gjitha patentat u transferuan në “Interval Licensing”, një shoqëri që kontrollohej nga Allen. Paul Allen është një nga njerëzit që luftojnë me mish dhe me shpirt për respektimin e patentave të fituara, të cilat ndoshta nuk i përdor, por i mban vetëm për pagesën e dëmit apo të drejtën e përdorimit.
Disa nga kompanitë e mëdha kanë reaguar menjëherë. “Këto lloj betejash ligjore kundër pjesës më të madhe të kompanive më të suksesshme dhe novatore të Shteteve të Bashkuara, pasqyrojnë zakonin e keq të disa personave, të cilët në vend që t’i bëjnë gjërat me ndershmëri, preferojnë t’i bëjnë duke u ulur nëpër sallat e gjyqeve. Sekreti i vetëm për suksesin tonë është risia”, kjo ka qenë deklarata e drejtuesve të “Google”-it para se të përgjigjeshin. Reagime ka pasur edhe nga themeluesi i “Facebook”, Mark Zuckerman: “Këto janë akuza të pakuptimta”, është shprehur ai. Të tjera si “Apple” dhe “Yahoo” nuk kanë dhënë asnjë koment. Mund të jetë vërtet kështu, por Allen tregon se i kishte patentuar para njëzet vjetësh me shoqërinë e tij “Interval” të gjitha të dhënat e nevojshme që sot e bënë të famshme kompaninë e madhe “Apple”. Në syrin e gjyqtarëve tani janë vënë edhe algoritmet tepër të komplikuara për motorët e kërkimit, sistemet që lejojnë përgjimin e informacioneve publicitare gjatë navigimit në internet dhe mjetet për shikimin e regjistrimeve të ndryshme. Për momentin nuk është vendosur asnjë shifër për dëmshpërblimin, por avokatët e shoqërisë “Interval” thonë se janë gati për gjithçka, sepse problemi i Allen është shumë i rëndësishëm. “Ajo teknologji e zhvilluar para shumë vitesh tani është pjesë e të gjitha efekteve të jetës sonë së përditshme dhe e ka treguar vlerën e saj”, janë shprehur avokatët. Sipas tyre, Allen nuk po bën gjë tjetër veçse po mbron me fanatizëm punën e tij. Kjo çështje ka tronditur të gjithë Silicon Valley. Kompanitë e mëdha “Apple”, “Nokia” dhe “Htc” janë përfshirë në një “betejë” të vështirë për njohjen e të drejtave të pronësisë për patentat e “smartphone”-ve, ndërsa “Oracle” është ngritur kundër “Google” për sa i përket përdorimit të “Java”-s tek Androidët.
BIOGRAFIA: Paul Allen (Siatëll, 21 janar 1953) është një informatikan amerikan. Së bashku me Bill Gates, në vitin 1975 themeloi kompaninë “Microsoft”. Në nëntor të vitit 2000, Allen braktisi postin e tij dhe dha dorëheqjen nga bordi drejtues i “Microsoft”-it (edhe pse ishte një nga aksionerët më të fortë të shoqërisë). Në janar të vitit 2014, sipas revistës “Forbes”, Allen, me një kapital prej 16 miliardë dollarësh, renditej në vendin e njëmbëdhjetë mes njerëzve më të pasur të Shteteve të Bashkuara. Ndër të tjera zotëron skuadrën e basketbollit të “Portland Trail Blazers” dhe atë të futbollit, “Seattle Seahawks”. Në faqen e tij zyrtare në internet Allen tregon gjithçka rreth vetes, nga investimet e mëdha (në 65 kompani të ndryshme), te librat dhe muzika që preferon.