Jorge Messi, babai i pesë herë fituesit të “Topit të Artë”, Leo Messi, është tashmë në Barcelonë. Mediat iberike thonë se ai ka filluar negociatat me presidentin Josep Maria Bartomeu për rinovimin e kontratës aktuale të “Pulga”, e cila përfundon në qershor 2018. “AS” ishte e avancuar në lajmin e saj të para pak ditëve, teksa njoftonte: Messi, rinovimi pas “El Classico”. Barcelona do të fillojë hedhjen e bazave për rinovimin e lojtarit argjentinas para përfundimit të marrëveshjes në fuqi, për shkak se është e vetëdijshme se do të jetë një negocim i gjatë. Leo Messi pësoi një rritje të konsiderueshme në të ardhurat e tij të këtij viti. Argjentinasi, i cili kishte ngrirë pagën e tij për dy sezone, fitoi 39.4 milionë euro (nga 22.8 milion neto në vit), me një rritje prej 16.6 milionë euro, që përkthehet ndryshe me 72 për qind rritje. Rritja e pagave të argjentinasit ishin pasojë e zgjerimit të kontratës së nënshkruar më 19 maj 2014, kur Messi e zgjati marrëveshjen për një vit. Barça, e cila ka rinovuar këtë vit me Neymar, Mascherano dhe Sergio Busquets, është në pritje të nënshkrimit të zgjatjes së Luis Suarez, proces pothuajse i mbyllur. Ajo, gjithashtu, dëshiron të rinovojë me Rakitic, Ter Stegen dhe Sergi Roberto. Ëndrra e madhe e klubit katalanas është që Leo Messi ta mbyllë karrierën në “Camp Nou” si kapiten i Blaugranave.