Babai i këshilltarit të Pacollit emërohet kryeshef i Arkivit Shtetëror

11

Vetëm katër ditë pasi ka konfirmuar se është ftuar nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar, Bedri Zyberaj është emëruar kryeshef në Agjencinë Shtetërore të Arkivave për mandat trevjeçar. Ai është babai i Jetlir Zyberajt, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli. Në këtë pozitë është emëruar nga Qeveria në detyrë e Kosovës më 17 dhjetor.

Vendimi është kundërshtuar nga shoqëria civile, pasi, sipas tyre, në këtë formë institucionet e pavarura që i raportojnë Kuvendit ose Qeverisë po mbesin të kontrolluara nga interesat e ngushta partiake apo klanore. Për më tepër, sipas përfaqësuesve të tyre, kjo qeveri nuk ka legjitimitet të marrë vendime të tilla, shkruan sot “Koha Ditore”.

Konkursi është hapur në qershor të këtij viti. Në këtë pozitë kishin aplikuar 13 persona, 12 prej të cilëve i kanë plotësuar kërkesat e konkursit. Konkursi ishte hapur në bazë të Ligjit të vjetër për shërbyesit civilë, por pas hyrjes në fuqi të Ligjit për zyrtarët publikë, procedurat do të duhej të vazhdonin në bazë të Ligjit të ri. Megjithatë, pas pezullimit të këtij ligji nga Gjykata Kushtetuese, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka thënë se është vazhduar me Ligjin e vjetër për shërbyesit civilë.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë në detyrë, të mbajtur të martën, Yagcilar ka thënë se kandidati i preferuar nga Qeveria është Bedri Zyberaj. Edhe pse ka treguar se ka pasur dy ankesa në Këshillin për Shërbyesit Civilë, ai ka kërkuar që të aprovohet emërimi i Zyberajt, pasi, siç ka thënë, Këshilli nuk është funksional dhe nuk kanë marrë përgjigje nga ky institucion…