Nazim RASHIDI
Kemi hyrë tashmë në vitin 2021. Gjithë janë me shpresë. Por nuk mund nga ana tjetër të lëmë pa hedhur një shikim të pak ditëve më parë që na tregon, se fillimi i rrutullimit të tokës rreth djellit edhe një herë nuk do lërë aq thejshtë vështirësitë, apo do bëjë ndryshimin e mendësive të njerëzve që shpesh janë shkaktari i problemeve. Veç shikoni çfarë i bën mendja SHBA-ve. E kishit imagjinuar dot ndonjëherë një ballkanizim të tillë të politikës amerikane? Edhe më cinikët nuk i kishin imagjinuar skenata grueviste në hollet e institucioneve amerikane, ku veç fytyrat dhe foklori ndryshonte nga ajo që ndodhte në Maqedoninë e Veriut pak muja më parë. Po pra e tëra nga mendësitë dhe mendjet që se kuptojnë lirinë e demokracinë, rregullat e ligjet, e që vinë nga ideologji populiste të cilat nuk e përjashtojnë as dhunën si mjet për të arritur qëllimet. Do të shkruhet edhe më e do të reagohet edhe më tej deri më 20 janar, deri sa të ndodhë ndryshimi i pushtetit në SHBA, i cili as atje e as këtj s’do sjellë ndryshim mendësie befas. Sfida me lirinë e demokracinë do jetë konstante. Që do të thotë se s’janë veç leksione të mësuara por një mirëmbajtje delikate e përherëshme e këtyre vlerave.
Në të kundërt ndodh shembja. Por le të shohim ca mendësi e prirje që s’do ndryshojnë as në vitin e ri edhe tek ne.Më kanë mbetur ende në mendje deklaratat e cituara të një eksperti të sigurisë, pak ditë para vitit të ri, i cili sugjeronte që për shkak të prezencës të madhe të njerëzve në qendra tregtare apo dhe sheshe, edhe pse kohë pandemie, polica të kishte kujdes nga rreziku për sulme të mundshme terroriste. Si? Këtu? Te ne?Ç’është kjo 2020? Edhe kjo duhej? Eksperti sugjeronte prezencë të dukshme fizike të policëve, nëpër rrugë, tregje, markete që përputhet edhe me hapat që do ndërmarrë edhe vetë Ministria e Brendshme.E gjitha kjo pasi të hënën, më 28.12.2020 policia njoftoi se kishte arrestuar tetë persona nga Kumanova dhe Shkupi, sepse siç thuhet kishin planifikuar sulme të objekteve publike, ku mund të kishte dhe pasoja fatale. Të arrestuarit kanë përpunuar edhe breza për sulme vetëvrasëse dhe sipas organeve të hetuesisë qëllimi ka qenë që të ngjallin ndjesinë e pasigurisë tek qytetarët.
Më falni miq, por bëhet fjalë për bashkëqytetarë tanë, të cilët kanë qenë në gjendje të shkaktojnë kaq shumë dhunë e dhimbje dhe në ndërkohë për këtë kishte e ka një heshtje të pafalshme.Reagimet për Valon Sylën nuk rreshtën për një deklaratë që u konsiderua ofenduese ndaj mërgimtarëve. Madje edhe përfaqësues fetarë flisnin për të. Por si heshtet për këto njoftime? Heshtja e dënimi publik ka qenë prezent gjithmonë për këto fenomene, dhe pa diskutim që këtu e para përgjegjëse është politika. Me vite shfaqen rastet e njerëzve tanë, që pavarësisht se ç’motiv kanë, e që përfshihen në organizata të huaja e të dhunshme, e politika s’ka krijuar një bllok të prerë e të qartë kundër fenomenit. Përplasjet banale, të përditshmërisë, madje në disa raste për pak vota më shumë, e pa menduar dëmin afatgjatë, partitë kanë i heshtur fenomenet nga frika se duke trajtuar çështje delikate do humbin përkrahje. Sa naiv është ky qëndrim. Mostrajtimi i situatave, i njerëzve, i arsyeve se pse ndodh përfshirja në organizata që janë cilësuar terroriste, vetëm mund të sjellin pasoja, e pikërisht, prapë ato parti do të merren me to, sepse përfaqësuesit e tyre do jenë titullarë institucionesh.Rasti i fundit do të duhej të kishte ngritur alarm të madh. Por jo. E frikshme dhe e dhimbshme është ideja që bashkëkombës të mi të mund të shkaktojnë vdekje po të bashkëkombësve të mi e të tjerëve. Por realiteti i tillë është. Rasti i Vjenës, ku një sulmues shqiptar mori jetën ndër të tjera të një shqiptari tjetër, tregon se motivi i sulmuesve shkon përtej nocionit që ka një shumicë, për etninë, traditën, kulturën, vlerat që ne na bëjnë ato që jemi. Ikja nga këto vlera është kryekëput faji i jonë. Sepse është folur me vite dhe s’është bërë asgjë. Madje edhe më keq, me veprime duke insistuar për tu theksuar sentimente fetare të panevojshme, u kanë dhënë krahë radikalëve. Duket se nuk është shpjeguar sa duhet se kundërshtia e fenomeneve të tilla s’ka të bëjë me kundërshtinë ndaj fesë. Frika se do dukesh ose do akuzohesh si anti fetar e anti islam, ka krijuar heshtjen, që pastaj është bërë normë.
Nuk bëhet kjo me ndonjë filozofi të madhe, mjafton tu jepet jehonë atyre ideve që hedhin poshtë babadimrin, që kundërshtojnë festimin e vitit të ri, festave të tjera popullore, tetë marsin, datat historike, figurat historike. E tmerrshme kur kjo bëhet edhe nga profesorë universitarë, siç ishte një citim nga një libër i një profesori që qarkulloi në internet. Nuk e di nëse kishte të vërtetë tek ai publikim, sepse lajmet e rrejshme janë të paevitueshme tani, por realiteti është se në mesin e sferës publike, krijohet debat i panevojshëm madje disa herë edhe me një konkurrencë fetare, duke krijuar atë narracion që lejon mposhtjen e të përbashkëtave tona si komb. Nuk theksohet e përbashkëta, zhvillimi, e ardhmja por dallimet. Nuk e imagjinoj dot që një profesor universitar, profesor a, të mos kuptojë se viti i ri është thjesht një arsye që njerëzit të shënojnë përfundimin e një cikli, e të urojnë për një fillim të ri të begatë? Në esencë veç toka është rrutulluar rreth djellit. Si mundet një profesor universitar mos të kuptojë se viti i ri s’ka lidhje me festat fetare, që janë një javë para ose pas 31 dhjetorit, e që s’ka të bëjnë me njëra tjetrën? Po edhe në një datë të ishin, secili do festonte e shënonte gjënë e vetë. Por si mundet një profesor universitar, të mos kuptojë që festat e tilla i bashkojnë njerëzit, sepse janë gjithëpërfshirëse, sepse pikërisht këto data, si dhe ato historiket, krijojnë komunikime e hare, pa asnjë ngarkesë, krijojnë kohezionin e kombit që ka më shumë se një fe?Si mundet këta, persona që shfaqen në diskursin publik mos ta mbështesin tolerancën shqiptare që një herë është brenda kombit e pastaj shkon edhe përtej?
Por çfarë u mësojnë këta profesorë, nëse kanë kështu bindje, studentëve të tyre? Unë realisht nuk e di. Por mungesa e reagimeve shoqërore tregon se profesorët, por pastaj edhe të gjithë të tjerët nuk kanë sqaruar e shpjeguar esencën e shqiptarizmës, lirisë, respektit e liberalizmit tonë. Brenda nesh ka myslimanë, bektashinj, të krishterë, ateistë… Festat popullore na bëjnë një, kurse lira që gëzojmë na lejon të shprehim atë duam. Ç’të keqe ka këtu? Kaluam një vit të rëndë, të vështirë, me humbje. Aq shumë humbje jetësh të panevojshme, dhe shikoni që në mars kur u shfaq virusi korona e në vijim, edhe me daljen e vaksinës që duhet të sjellë shpëtimin, paralelisht me situatat e vështira dhe me shpresën dominon dhe dyshimi. Dyshim për ekzistencën e virusit, dyshim se kishte komplot në shpikjen e tij, dyshime për vaksinën, thirrje për mosbesim ndaj saj. Si është e mundur? Po çfarë ka bërë arsimimi, si ka mundësi gjithë ky mosbesim dhe dyshim ndaj dijes, shkencës? Ku kemi gabuar? Të gjitha për fat të keq lidhen me nxënien dhe me cilësinë e arsimit.
Nuk është se për këtë s’kemi folur e s’është folur, por në bilancin e fundvitit ku pandemia dominoi, ajo bëri që të evidentohen me fuqishëm niveli i përgjithshëm.Viti 2021, është e qartë se do vijojë si edhe ato më parë. Do të duhet ne të gjithë sëbashku, zërat civil e progresiv, madje edhe politika, të jenë më të prerë rreth fenomeneve, të shpjegojnë e të luftojnë dhunën, injorancën e të përpiqet të rrisin cilësinë e arsimit, jetës, mirëqenies. Këto në vetvete pastaj sheshojnë të gjitha të këqijat. Por kjo s’do të ndodhë. As ndryshimi i mendësisë. Pra nëse ishin këto dëshirat që babadimri ti plotësojë, nuk kanë ardhur. E mosndodhja e gjithë këtyre dëshirave, do të gëzojë ata që janë kundër babadimrit, sepse do vërtetojnë mosekzistencën e tij. Mund të rrinë të qetë, se asnjë dëshirë s’do plotësohet. Për të ardhur keq është vetëm se shkatërrojnë imagjinatën e fëmijëve, por edhe shpresën, sepse ata të rritur si nga realiteti shoqëror si nga përrallat me vitin e ri, po e kuptojnë se kot shprehin dëshira, kur s’ka babadimër, i çfarë do llojshëm, që i realizon ato!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)