Viteve të fundit Aziz Salihu nuk gëzon shëndet të mirë, madje para dy vjetësh legjenda e boksit kosovar ishte në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, por riaftësimin e kishte gjetur në një spital të Turqisë. Doktorët e kishin obliguar që kohë pas kohe ta monitorojë gjendjen shëndetësore përmes analizave mjekësore, të cilat nuk kushtojnë lirë. Së fundmi “Sportisti i Shekullit” ishte përkrahur nga Qeveria e Ramush Haradinajt, i cili ia kishte financuar një gjë të tillë. Mirëpo Azizi ka vendosur që me paratë të cilat ia ka dhënë Qeveria për t’i bërë analizat shëndetësore ta organizojë një turne, që do të mbahet të dielën në Prishtinë me titullin “Kolosët e boksit të Kosovës”, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Organizimi i këtij turneu i është bërë pikë qysh moti. Por, meqenëse disa herë dështoi në tentim për ta organizuar pasi financiarisht nga askush nuk u ndihmua, Azizi ka vendosur që kësaj radhe ta organizojë këtë ngjarje me paratë që i kishte të ndara për t’i bërë analizat rreth shëndetit të tij. “Turneu do të organizohet me paratë që i kam marrë për analiza. Turneu ka për t’u mbajtur qysh është më së miri”, deklaroi Azizi për “Zërin”.
Derisa Qeveria e Haradinajt i kishte dalë në ndihmë për t’ia siguruar paratë e analizave, kryeministri nuk kishte mundur ta ndihmojë edhe në organizimin e turneut, për të cilin tani “Zizi” po e sakrifikon shëndetin e tij.
Fituesi i medaljes së bronztë olimpike thotë se kishte dështuar dy herë në tentativën e tij për ta mbajtur një turne në nderim të boksierëve të mëdhenj të Kosovës për shkak se askush nuk e kishte ndihmuar financiarisht. “Qe dy herë s’kam mundur ta mbaj këtë turne, por nuk do të dështoj për së treti sepse nuk dua ta mashtroj popullin”, ka deklaruar Salihu, i cili thotë se një gjë të tillë është duke e bërë pa asnjë përkrahje.
“I kam mbajtur 50 turne. Kam qenë themelues i turneut ‘Adem Jashari’ e disa turneve tjera. Po ashtu kam organizuar turne për Ramushin sa ishte në Hagë. Sot jemi ku jemi. Kam qenë themelues i Komitetit Olimpik të Kosovës. Kam bërë çmos, kam punuar sa kam mundur për këtë Kosovë. Sot e marrojnë dhe e tradhtojnë Azizin. Kjo është çudi sepse unë kam bërë shumë. Këta janë heronj të Kosovës. Sot as ata nuk janë në gjendje të mirë, janë të papunë, por unë arrita që ta mbaj turneun me shumë kënaqësi. Por s’ka as sponsor e as Qeveria s’ka ndihmuar”, është shprehur Salihu, i cili kulmin e pati arritur me medaljen e bronztë të fituar në Lojërat Olimpike të vitit 1984.
Ai konfirmoi se në turneun e së dielës do të marrin pjesë garues nga Kosova, nga Shqipëria, nga Maqedonia, nga Turqia e nga Sllovenia. “Shyqyr që e kemi sportin. Në Kosovë boksi gjithmonë ka qenë më i miri. Do të mundohem me klubin Prishtina, që është në gjendje të mjerueshme, ta mbajmë gjallë këtë sport. Kam qenë i sëmurë sepse po të mos kisha qenë do të kishte qenë në gjendje më të mirë klubi”, është shprehur Salihu.
Ai gjithashtu shprehu falënderim të madh për mbështetjen e qytetarëve të tij, për të cilët thotë se gjithmonë ishin në krah të tij. “Shyqyr që më do populli. Unë e di se çka ka bërë populli pas meje”, përfundoi ai.
Ky turne do ta mbahet të dielën, në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, në orën 14:00.