Shkup, 17 janar – Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës Valmir Aziri, priti sot në takim Koordinatorin për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti.
Gjatë takimit, siç citohet në njoftim, Hoti prezantoi Programin Nacional për Rininë dhe Programin Ndërshtetëror për Rininë. Në këtë pikë u diskutua rreth mundësisë së implementimit të Programit edhe në Republikën e Maqedonisë për të gjitha komunitetet.
Gjithashtu duke iu referuar Marrëveshjes së planifikuar për Bashkëpunim në sferën e kulturës ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, Aziri potencoi se Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, pajtohen që gjatë vitit 2019 të zhvillohen aktivitete në fushën e Trashëgimisë kulturore, në veprimtarinë muzikore dhe muzikore skenike, veprimtarinë teatrore, bibliotekare, kinematografike fushën e arteve e shumë të tjera.
Sekretari Aziri përgëzoi Hoti për punën e bërë deri tani me shpresë se bashkëpunimi mes dy vendeve do të intensifikohet edhe më tej në të ardhmen.