Shkup, 17 shtator – Sekretari shtetëror në Ministrinë e kulturës, Valmir Aziri, një javë pas shpërthimit të skandaleve të shumta në ndarjen e mjeteve në Programit vjetor të Ministrisë së Kulturës, ka tentuar të distancohet nga, siç thotë ai, çdo tentim të personave që kanë provuar ose do të provojnë në të ardhmen të keqpërdorin fondet e Ministrisë së Kulturës.
“Distancohem nga çdo tentim të personave që kanë provuar ose do të provojnë në të ardhmen të keqpërdorin fondet e Ministrisë së Kulturës, nga shoqatat të cilat do të tentojnë që në mënyrë të paligjshme e të pandershme të përfitojnë nga fondet e ministrisë. Sekretari Aziri është dhe ka qenë këmbëngulës i përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në Ministrinë e Kulturës, për ndarjen e drejtë të buxhetit për shqiptarët në ministrinë e kulturës, për transparencën e tërë procesit. Ftojmë të gjithë qytetarët që vërejtjet dhe dyshimet t’i dorëzojnë te Ministria e Kulturës, çfarëdo që të jenë ato”, thuhet në njoftimin e Azirit. Transparenca, thuhet më tej në njoftim, qasja e barabartë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë në buxhetin e Ministrisë së kulturës janë shtyllat e veprimtarisë së sekretarit Aziri doemos në konkurse dhe në ndarjen e drejtë të buxhetit.
“Sekretari Aziri është pro qasjes së hapur të të dhënave në mënyrë që opinioni dhe mediat të kenë pasqyrë konkrete mbi punën e ministrisë. Sekretari Aziri është i interesuar që i gjithë procesi të kalojë në mënyrën më transparente dhe ka insistuar që buxheti i Ministrisë të jetë sa më transparent. Ne mendojmë që të gjitha këto tendenca janë qëllim këqija, që kanë për qëllim njollosjen e kulturës shqiptare dhe të artistëve shqiptarë”, thuhet në njoftimin e Azirit, pas publikimit të një seri lajmesh në gazetën KOHA lidhur me ndarjen e mjeteve për shoqata të afërta me sekretarin Aziri, si dhe për shoqata famoze që nuk kanë asnjë aktivitet kulturor.
Me këtë njoftim, Aziri dëshiron të arsyetohet se projekti i shefit të kabinetit të tij, Arlind Huseini, është miratuar pa dijeninë e tij, ashtu sikurse qindra mijëra denarët për shoqatën Art Tetovë të Kujtim Saliut nga Kërçova, shoqatë kjo që për qëllim primar ka “gjuetinë”, ndërsa ka fituar tre projekte të mëdha, edhe pse nuk ka një aktivitet kulturor gjatë gjithë viteve kur është regjistruar. Apo edhe për projektet e shumta për çift bashkëshortësh me nga dy-tre shoqata, apo edhe për qindra mijëra denarë për Koncert me vetëm një fëmijë!
Nga ana tjetër, projekte të rëndësishme të kulturës shqiptare nuk janë mbështetur, ose janë mbështetur me shuma minimale, me qëllim që të njëjtat të shuhen. Vlen të theksohet rasti me Festivalin e këngës për fëmijë “Ylberi”, me traditë mbi 20 vjet, Festivalin ndërkombëtar “Skupi Fest”, revistën “Jehona”… dhe shumë projekte tjera që vite me radhë kanë kultivuar denjësisht kulturën shqiptare në Maqedoni, por edhe më gjerë.
Në njoftim, Aziri thotë se këtë vit, shqiptarët për herë të parë kanë buxhet 700 milionë denarë. “Madje, për herë të parë në Republikën e Maqedonisë është formuar Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve shqiptare dhe përmbyllja e punimeve të teatrove. Gjatë 2018-shit do të përfundojnë edhe disa projekte të cilat veç më kanë filluar dhe disa të tjera do të iniciohen. Ky është viti i kulturës shqiptare andaj duhet të çmohet veprimtaria e implementuesve të projekteve”.