Tetovë , 19 korrik – Në Tetovë mbahet edicioni i nëntë me radhë i Kolonisë Ndërkombëtare Artistike 2018, në hapjen e të cilit mori pjesë sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës Valmir Aziri.
Ky eveniment, siç theksohet në kumtesë organizohet nga Galeria e Arteve Pamore në Tetovë dhe tani më në mënyrë tradicionale mbahet në Kodrën e Diellit ku bukuritë e këtij vendi janë edhe inspirim për krijimtarinë artistike.
Qëllimi i një evenimenti të tillë është që të tubojë artistë nga shtete të ndryshme në mënyrë që të krijojnë vepra unike përmes shkëmbimit të eksperiencave, ideve dhe teknikave të ndryshme të punës. Ky vit mblodhi gjithsej 18 artistë nisur nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Ukraina, Turqia , Italia dhe Suedia.
Gjatë këtyre ditëve artistët pjesëmarrës në koloninë artistike do të pikturojnë nga tre vepra me motive dhe teknika të ndryshme pikturimi të cilat do të ekspozohen më datën 21.07.2018 ( e shtunë) në hapësirat e Galerisë së Arteve Pamore në Tetovë.
Kolonia do të zgjasë tetë ditë, duke filluar nga data 15 e këtij muaji deri më datën 22.