Azilkërkuesi, Hussein K., që thotë se me kombësi është afgan, është paraqitur në një gjykatë në Gjermani, ku po zhvillohet proces kundër tij, lidhur me akuza për dhunim dhe vrasje. Rasti i këtij personi ka shkaktuar debat në gjithë Gjermaninë lidhur me politikën imigruese të këtij vendi. Ky person, i cili është i dyshuar për dhunim dhe vrasje të një studenteje të mjekësisë vitin e kaluar, është paraqitur sot në gjykatë në qytetin jugperëndimor, Friburg. Vajza e vrarë, e identifikuar me emrin, Maria L., 19 vjeçare, ishte zhdukur në tetor të vitit 2016, gjatë rrugës për në shtëpinë e saj në Friburg. Trupi i saj i pajetë është gjetur më vonë n lumin Dreisam. Autoritetet thonë se i dyshuari, i arrestuar në dhjetor të vitit 2016, ishte i lidhur me këtë krim, nëpërmjet analizave ADN dhe nga pamjet në një video të incizuar afër vendit të ngjarjes. Identiteti i saktë dhe mosha e të akuzuarit janë të paqarta. Hussein K. arriti në Gjermani në vitin 2015, pa dokumente identifikimi dhe kërkoi azil si një i mitur i pa shoqëruar. Ai u pat thënë autoriteteve se i ka 17 vjet dhe se është nga Afganistani, por hetimet e bëra lidhur me këtë person nga prokurorët, treguan se ai i kishte së paku 22 vjet, në kohën e krimit. Pas arrestimit të tij, doli se një gjykatë greke e ka dënuar atë me 10 vjet burg për plaçkitje të një vajze 20-vjeçare, të cilën ishte përpjekur ta vriste. Ai i kishte vuajtur afër 18 muaj burg, e pastaj ishte liruar me kusht në tetor të vitit 2015 dhe ishte arratisur nga Greqia.