Një gjykatë federale e ka shfuqizuar përkohësisht refuzimin e administratës së Trumpit për azil të emigrantëve, të cilët e kalojnë ilegalisht kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara. Presidenti kishte dalë me një deklaratë më 9 nëntor, në të cilën kishte thënë se secili që e kalon kufirin ilegalisht, do ta humbë të drejtën për të aplikuar për azil.
Përderisa disa grupe të emigrantëve tashmë kanë arritur në kufirin SHBA-Meksikë, Donald Trumpi tha se është e nevojshme të vendoset një ndalesë, në mënyrë që ta shmangin kërcënimin e sigurisë kombëtare. Sidoqoftë, gjykatësi i rastit tha se ligji e thotë qartë se çdo i huaj që arrin në SHBA, pavarësisht faktit se nga ka ardhur, mund të aplikojë për azil. Ai, gjithashtu, tha se qeveria e ka keqpërdorur autoritetin e vet përmes lëshimit të rregulloreve emergjente dhe largimit të periudhës pritëse prej 30 ditësh, e cila do të shërbente për diskutim të ndryshimit të politikave.
“Pavarësisht fushës së autoritetit të presidentit, ai nuk mund t’i rishkruajë ligjet e emigracionit për ta fuqizuar një gjendje të cilën Kongresi e ka refuzuar”, tha gjykatësi. Në anën tjetër, Departamenti i Sigurisë Kombëtare ende nuk e ka komentuar këtë vendim, i cili do të mbetet në fuqi për një muaj. Presidenti kishte marrë vendim të ngjashëm edhe vitin e kaluar, kur kishte vendosur ndalesë për udhëtime nga disa vende me shumicë myslimane, të cilin e kishte miratuar edhe gjykata supreme.
Rreth 3 mijë persona kanë arritur në qytetin kufitar, Tijuana, ndërsa forcat kufitare të SHBA-së kanë thënë se e kanë mbyllur për disa orë qarkullimin e automjeteve dhe kanë vendosur tela gjemborë për ta parandaluar ndonjë mësymje të vrullshme drejt kufirit. Presidenti Trump e kishte publikuar deklaratën e tij për ndalesë të azilit vetëm disa ditë pas zgjedhjeve të mesit të mandatit. Gjatë asaj kohe, ai e ashpërsoi retorikën e anti-emigracionit në fushatë dhe prezantonte teori konspirative për emigrantët, të cilët ndodheshin mijëra kilometra larg SHBA-së, shkruan “The Guardian”, transmeton Express.