“Azil politik i Gruevskit në Hungari është arsyeja kryesore se pse Interpoli nuk e publikon urdhërarrestin ndërkombëtar të kërkuar nga institucionet e Maqedonisë së Veriut. Ajo është mbrojtje për të. Në këto rrethana, ai në Hungari është i cilësuar si i përndjekur politik dhe kjo është pengesa kryesore që e pamundëson shpalljen e flet arrestit ndërkombëtar”, thotë Muhamed Halili
Omer XHAFERI
Shkup, 11 maj – Policia ndërkombëtare e Interpolit nuk mund të shpallë urdhërarrest kundër personave që kanë status të azilit politik. Pra, një gjë e tillë nuk mund të bëhet as për Nikolla Gruevskin e Nikolla Boshkovskin, të cilët dyshohem si organizator të ngjarjeve të 27 prillit, respektivisht që të dytët për momentin e gëzojnë azilin politik, njëri në Hungari e tjetri në Greqi. Kështu vlerëson ish-diplomati Muhamed Halili, gjegjësisht një tezë të tillë e vërtetojnë edhe burime të gazetës KOHA pranë institucioneve vendore, të cilët thonë se zyrtarisht selia e Interpolit në Lion ka refuzuar të publikoi një urdhër arrest të tillë.
“Azil politik i Gruevskit në Hungari është arsyeja kryesore se pse Interpoli nuk e publikon urdhërarrestin ndërkombëtar të kërkuar nga institucionet e Maqedonisë së Veriut. Ajo është mbrojtje për të. Në këto rrethana, ai në Hungari është i cilësuar si i përndjekur politik dhe kjo është pengesa kryesore që e pamundëson shpalljen e flet arrestit ndërkombëtar”, thotë Halili.
Ai mes tjerash thotë se aktgjykimi për “Mercedesin luksoz” në rastin “Tank” nuk është edhe aq i bindshëm dhe fortë i argumentuar se Gruevski ka bërë ndonjë vepër të rëndë penale. Prokuroria dhe gjykata, siç thotë ai, kanë pasur rastin ta përndjekin ish-kryeministrin për vepra më të rënda penale. Nga ana tjetër, magjistri i shkencave të sigurisë, Hasim Murtezani, shprehet se struktura të caktuara në Maqedoninë e Veriut nuk kanë interesimin e duhur për kthimin e ish- kryeministrit, Nikolla Gruevski në shtëpi dhe ballafaqimin e tij me organet e drejtësisë. Duke e komentuar heshtjen e Interpolit për urdhërarrestin ndërkombëtar për Gruevskin dhe Boshkovskin, ai shton se bëhet fjalë për një organizate serioze ndërkombëtare, e cila në mënyrë taksative kundërshton politizimin e aktiviteteve të saj.
“Unë besoj palëkundshëm në qasjen objektive të Interpolit për luftën kundër krimit dhe autorëve të saj, por nuk jam i sigurt në qasjen e aktorëve të tjerë që janë pjesë e kësaj historie që duhet të ndërmarrin hapa serioz në zgjidhjen e rastit”, thotë Murtezani për gazetën KOHA. Sipas ekspertëve të sigurisë, deklaratat e organeve të prokurorisë dhe gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut duhet çdoherë të merren me rezerva, derisa ata nuk publikojnë dokumente zyrtare të kërkesave, shkresave apo ndonjë raporti tjetër. Ndryshe, shefja e Prokurorisë për krim të organizuar, Villma Ruskoska, ditë më parë deklaroi se zyra e Interpolit refuzon ta publikojë urdhërarrestin ndërkombëtar për Gruevksin dhe Boshkovsin. Megjithatë, ajo nuk dha detaje për këtë refuzim. Njëherësh, flitet se Interpoli ka vendosur kritere më të ashpra për shpalljen e urdhërarresteve ndërkombëtare, pasi gjatë periudhës së kaluar, nga ana e kryetari të Turqisë, Rexhep Taip Ergodan në drejtim të zyrës së Interpolit janë lëshuar shumë kërkesa për flet arreste ndërkombëtare.
Sidoqoftë, në Maqedoninë e Veriut deri më tani organet gjyqësore dhe ato të prokurorisë nuk kanë konstatuar përgjegjësi të askush për arratisjen e Nikolla Gruevski dhe Nikolla Boshkovskit, ish-pjesëtarit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim. (koha.mk)