Azhurnimi i ri i Windows 10 mundëson përdorimin e VRR madje edhe në lojërat e papërkrahura

Gjatë viteve të fundit, Microsofti ka bërë shumë përpjekje për t’ua lehtësuar jetën gamerëve të PC. Në azhurnimin më të ri të Windowsit, Microsofti fokusohet në përmirësimin e sistemit operativ për gamerët, me parametrat e reja Variable Refresh Rate. VRR tani do të mund të përdoret edhe në lojërat që nuk kanë mbështetje burimore për këtë opsion, raporton Windows Latest.

Mbështetja për normën variabile të rifreskimit është bërë shumë e rëndësishme për gamerët e PC gjatë viteve të fundit, kryesisht falë dominimit të ekraneve G-Sync dhe FreeSync. VRR mundëson që GPU ta kontrollojë rifreskimin e monitorit dhe ta eliminojë ndarjen e ekranit gjatë procesit. Jo të gjitha lojërat e mbështesin VRR drejtpërdrejtë, kështu që ata që e kanë azhurnimin më të ri Windows 10, 1903 do të mund të kapërcejnë këtë mangësi, shkruan KOHA Ditore.

Me konfigurimet e reja të Windowsit, përdoruesit do të mund ta imponojnë Variable Refresh Rate në lojërat që nuk e mbështesin atë. Niveli i rifreskimit do të ndryshojë nga loja në lojë, por pritet që kjo me siguri do ta mundësojë një eksperiencë më të mirë të gamingut.

Azhurnimi aktualisht nuk shfaqet tek të gjithë, por ngadalë po arrin dhe së shpejti do të duhet të jetë në dispozicion.