Ministri i Punëve të Jashtme i Azerbajxhanit, Elmar Mammadyarov, ka nxitur nevojën për të zgjidhur konfliktin e vazhdueshëm të Karabakut të Epërm me Armeninë.
“Ne duhet të lëvizim përpara. ‘Status quo-ja’ aktuale është e papranueshme për të gjithë. Ne duhet të kërkojmë zgjidhje”, tha Mammadyarov në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, gjatë një konference të përbashkët për media me homologun e tij rus Sergey Lavrov.
Mammadyarov tha se fillimisht është e nevojshme që të adresohen problemet e statusit dhe sigurisë së rajonit.
Ndërkaq, Lavrov deklaroi se zgjidhja e konfliktit nuk është e thjeshtë, por shtoi se mundësitë për zgjidhje ekzistojnë.
“Ne e kuptojmë që ka mundësi për të arritur kompromis. Nuk është e lehtë”, tha Lavrov.
I pyetur në lidhje me thirrjen e kryeministrit armen, Nikol Pashinyan, drejtuar Moskës për të mos i shitur armë Azerbajxhanit, Lavrov tha se Rusia ndjek “një politikë të ekuilibruar” në rajon.
“Ne jemi duke e zhvilluar këtë bashkëpunim (teknik dhe ushtarak me Azerbajxhanin) në një mënyrë absolutisht transparente, në përputhje të plotë me normat e ligjit ndërkombëtar dhe me konsideratë të plotë të ekuilibrit që është zhvilluar në këtë rajon dhe i cili është i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit këtu”, tha ai.
Karabaku i Epërm është një territor i njohur ndërkombëtarisht si i Azerbajxhanit, i okupuar nga Armenia përmes agresionit ushtarak që nga viti 1991.
Katër rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dy rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme, si dhe vendimet e shumë organizatave të tjera ndërkombëtare, i referohen këtij fakti dhe kërkojnë tërheqjen e forcave okupuese armene nga Karabaku i Epërm dhe nga shtatë rajonet e tjera të okupuara të Azerbajxhanit.
Grupi i Minskut i OSBE-së, i bashkëkryesuar nga Franca, Rusia dhe SHBA, u formua për të gjetur një zgjidhje paqësore të konfliktit, por ende nuk ka arritur ndonjë rezultat.