Azerbajxhani e ka paditur Armeninë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (ECHR). Akuzat kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë okupimit gati 30-vjeçar të rajonit Nagorno Karabak.
Padia ka të bëjë edhe me konfliktin e armatosur 44-ditor në fund të vitit të kaluar midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Një anëtar i Parlamentit të Azerbajxhanit, Kamal Cafarov, tha më 8 shkurt se Jerevani është akuzuar edhe për mos ndërmarrjen e masave në zbulimin e rreth 3.800 shtetasve të Azerbajxhanit që u zhdukën gjatë një lufte në vitet e 1990.
Azerbajxhani në padinë ndaj Armenisë ka ngritur edhe çështjen e përdorimit të raketave balistike dhe municioneve tjera të rënda gjatë bombardimeve në fund të vitit të kaluar në qytetet dhe fshatrat e Azerbajxhanit.