Koleksioni i koleksionistit azerbajxhanas Ramiz Alijev, i përbërë prej mbi 1.000 orëve të llojeve të ndryshme i lë të mahnitur të gjithë ata që e shohin. Koleksioni i orëve në shtëpinë e 64 vjeçarit Alijev, në fshatin Mashtaga, afër Bakut, ngjason në një muze. Interesimi i Alijev për orët nisi ngaqë babai i tij ishte riparues i orëve. Ai me mbi 1.000 orët e gjetura ka formuar një koleksion.
Në koleksionin e tij gjenden edhe orë të viteve të 1800 të cilat bartin veçanti historike. Tërheqin vëmendje orët e tavolinës, të murit dhe orët e qelqit. Dhoma në të cilën është vendosur koleksioni i përbërë prej orëve nga 1 centimetër e deri në 2 metra, gumëzhin nga tingujt që nxjerrin orët për çdo orë.
Pjesën më madhe të kohës së kaluar në shtëpi Alijev e kalon në këtë dhomë, vet e bën riparimin dhe restaurimin e orëve të prishura. Koleksionin e tij që e ruan si sytë tani për tani mund ta shohin vetëm familjarët dhe mysafirët meqë është i vendosur në shtëpi. Alijev, i cili për Anadolu Agency (AA), hapi dyert e dhomës ku gjenden orët, tha se posedon orë të llojllojshme dhe me veçanti të ndryshme nga Gjermania, Franca, Zvicra, Rusia, Japonia, SHBA-të dhe vende të tjera.
“Secila orë ka tingullin e vet origjinal. Kur dëgjoj tingullin e orëve historike, kthehem në të kaluarën. Kur dëgjoj tingullin e orëve bashkëkohore kthehem në të sotmen. Tingulli i secilës orë e përkujton kohën e vet. I di mekanizmat e të gjitha orëve një nga një. Koleksioni im do t’u mbetet kujtim nga unë brezave të rinj”, tha Alijev duke shtuar se posedon nga orë të prodhuara rishtazi e deri te orët dy shekullore. Alijev, “Koleksionisti i cili koleksionon kohën” ka për qëllim të rrisë koleksionin e tij dhe ta shndërrojë në një muze të vërtetë.