Komisioneri për Migrim Dimitris Avramopoulos, ka bërë të ditur që sonte Parlamenti Europian ka diskutuar për procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët.
Përmes një deklarate të lëshuar, ai thotë se ndjehet mirë që Parlamenti Europian e njeh rëndësinë e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës, njofton Klan Kosova.
Për më shumë ja fjalimi i tij i plotë të cilin e ka ndarë me ndjekësit në Twitter:
”Më vjen mirë që Parlamenti Evropian po e njeh rëndësinë e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me të qenit të drejtë (fer), por edhe me pranimin e përpjekjeve të tyre. Ka të bëjë me stabilitetin dhe sigurinë në gjithë rajonin. I gjithë rajoni duhet të ketë perspektivë evropiane”.
”Që nga fillimi i dialogut të liberalizimit të vizave në vitin 2012, Komisioni ka punuar ngushtë me Kosovën për të mbështetur autoritete në përmbushjen e të gjitha standardeve të udhërrëfyesit të vizave. Në raportin përfundimtar të 4 majit 2016, ne pranuam se Kosova kishte ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt regjimit pa viza”.
Siç shkruan Dimitris Avramopoulos, ajo është arsyeja pse kanë propozuar heqjen e aplikimit për viza për popullin e Kosovës, në kuptimin se deri në ditën e miratimit të propozimit nga Parlamenti dhe Këshilli, Kosova do të kishte ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe duke forcuar luftimin e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, njofton Klan Kosova.
”Dy vjet më vonë, më 18 korrik 2018 pas përpjekjeve dhe përparimeve të nevojshme, Komisioni konfirmoi se Kosova kishte përmbushur të gjitha parimet për liberalizimin e vizave, duke përfshirë dy kërkesat e mëparshme”, ka shkruar ai.
Avramopoulos theksoi gjithashtu se ka një numër shtetesh anëtare të BE-së, të cilat kanë shprehur shqetësime rreth rreziqeve të migrimit që paraqesin qytetarët e Kosovës.
”Jam i vetëdijshëm për këto shqetësime, Kosova gjithashtu është e vetëdijshme për to dhe po bashkëpunon me disa prej këtyre shteteve dhe është në kontakt të drejtpërdrejtë me këto shtete për të larguar këto rreziqe”.
”Do të vazhdojmë t’i inkurajojmë autoritete e Kosovës që të vazhdojnë. 1) Të zbatojnë të gjitha standardet, 2)Fuqizimi i kornizës së tyre kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit, 3) Vazhdimi i punës për migracionin dhe sigurinë, si dhe për nevojën e komunikimit të qartë me qytetarët lidhur me drejtat dhe detyrimet e tyre sa i përket liberalizimit të vizave”.
Kosova është i vetmi partner i Ballkanit Perëndimor që nuk përfiton nga një marrëveshje e lehtësimit për viza dhe qytetarët e saj janë të vetmit në rajon që kanë nevojë për viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Europian, ka përsëritur Komisioneri për Migrim Dimitris Avramopoulos, njofton Klan Kosova.
”Pata deklaruar shumë herë se liberalizmi vjen me të drejta dhe obligime dhe autoritetet e Kosovës janë shumë të vetëdijshme për këtë. Ata kanë bërë pjesën e tyre të punës dhe besoj se ata do të vazhdojnë ta bëjnë këtë”.
”Unë mbështetetem tek anëtarët e kësaj dhome për të ndihmuar në inkurajimin e Këshillit që të vijnë së shpejti në tryezën e negociatave dhe të bien dakord për këtë propozim me më shpejtësi”.
Në fund Komisioneri për Migrim Dimitris Avramopoulos, ka falënderuar të gjithë ata që njohin rëndësinë e përparimit në këtë proces që sipas tij i sjellë kosovarët më afër BE-së duke siguruar edhe bashkëpunim më të fortë