Sheho Jusuf, avokat nga Siria i cili është strehuar në Turqi për shkak të luftës civile aty, për ta siguruar kafshatën e gojës shet qebapë përmes karrocës së tij lëvizëse, raporton Anadolu Agency (AA). Jusuf, i cili kishte punuar si avokat në qytetin Haseki të Sirisë, për shkak të luftës ka lënë pas në vendin e tij profesionin për t’u zhvendosur në Stamboll së bashku me familjen para tri viteve. Në fillim ai ka siguruar mbijetesën duke larë në një restorant, ndërkohë që më pas ka shkuar në qarkun Këzëltepe të Mardinit. Ai vazhdon të jetojë aty së bashku me të shoqen dhe dy fëmijët në një shtëpi të marrë me qira, teksa në rrugën Urfa shet qebapë me karrocën e tij lëvizëse.
Dëshira më e madhe e Jusufit është që lufta në Siri të marrë fund dhe të kthehet e ta vazhdojë profesionin të cilin ai e do shumë. Duke folur për AA, Jusuf thotë se në Turqi, ku sipas tij kanë ardhur për shkak të problemeve të mëdha, janë duke jetuar një jetë të qetë. Ai thekson se në Turqi sillen mirë me ta dhe u ofrohet çdo lloj lehtësimi, duke treguar se fëmijët i ka dërguar në shkollë që ta mësojnë gjuhën turke. Edhe përkundër komoditetit në Turqi, Jusuf thotë se i mungon vendlindja dhe profesioni. “Më ka marrë malli për vendin tim dhe ta ushtroj profesionin. Lus Zotin që të përfundojë lufta në Siri dhe të kthehemi. Për secilin vendlindja është e bukur. Shtëpia dhe puna jonë ishte atje”, rrëfen Jusuf, duke shtuar se të gjithë sirianët do të dëshironin të ktheheshin sikur lufta të mbaronte. “Nëse më jepet mundësia, dua që profesionin tim ta ushtroj edhe këtu. Nëse qeveria na e ofron këtë mundësi, atëherë mund të punojmë edhe këtu. Këtë shërbim dua ta bëj edhe në Turqi”, thotë Jusuf.