Prishtinë, 30 mars – Avokati i Popullit i ka dorëzuar sot, Kuvendit të Republikës së Kosovës, Raportin e shtatëmbëdhjetë vjetor, një detyrim ligjor i tij.
Raportimi vjetor i IAP-së, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është pasqyrim i gjendjes së të drejtave dhe lirive të njeriut përgjatë vitit raportues, si dhe reflektim i punës dhe rolit të Avokatit të Popullit, si mekanizëm i pavarur kushtetues, në mbikëqyrjen dhe vlerësimin e punës së autoriteteve publike, përkitazi me respektimin e ligjeve, ofrimin e shërbimeve, miradministrimin, transparencën dhe llogaridhënien.
Raporti përmban konstatimet e Avokatit të Popullit gjatë vitit 2017 lidhur me rastet e shkeljeve sistematike dhe individuale të lirive dhe të drejtave të njeriut, rekomandimet, opinionet, si dhe propozimet për ndërmarrjen e masave, që kontribuojnë në ngritjen e respektimit të të drejtave të njeriut, si dhe aktivitetet e institucionit, në drejtim të promovimit dhe edukimit për të drejtat e njeriut.
Raporti i Avokatit të Popullit duhet të shqyrtohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancë plenare.