Prishtinë, 9 janar -Anëtarët e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK) nga sot hynë në bojkot të përgjithshëm të gjykatave, prokurorive dhe policisë, me kërkesë që Këshilli Gjykues i Kosovës (KGJK) ta tërheq rekomandimin për kufizimin e pranisë së avokatëve dhe të palëve në gjykata.
Këshilli Drejtues i OAK më datë 5 të këtij muaji unanimisht vlerësoi se rekomandimi i KGJK-së prej 27 dhjetorit 2018, me të cilin kufizohet prania e avokatëve dhe palëve në gjykata pa ftesën apo lejen e kryetarit të gjykatës përkatëse, paraqet shkelje të parimit kryesor për qasje në drejtësi.
Këshilli Drejtues kërkoi deri më 8 janar KGJK ta tërheq rekomandimin, ndërsa duke e pasur parasysh se kjo nuk ka ndodhur në afatin përfundimtar, avokatët sot hynë në bojkot të përgjithshëm i cili do të zgjasë deri në plotësimin e kërkesës së tyre, duke porositur se nuk do të ketë pasoja juridike për avokatët apo palët.