Emri i tij është i kërkuar gjithandej nga këngëtarët pasi mban vulë suksesi në këngët e tyre. Avni Qahilin, edhe pse shpesh e shohim në ekran, ai rrallë herë rrëfehet mbi veten dhe punën që bën. I thjeshtë dhe profesionist, vjen në një rrëfim për InfraRed të gazetës KOHA duke treguar mbi tekstet që bën, këngëtarët që bashkëpunon e shumë gjëra që ndoshta nuk keni pasur rastin të lexoni për të më herët
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Kur keni filluat të shkruani tekste, mbani mend fillimet e para?
Fillimet kanë qenë shumë të hershme, këtu nuk do të thosha për poezitë e mia të para në shkollë fillore dhe të mesme. Më serioz më është dukur vetja kur si student në Prishtinë, më botoheshin poezitë e mia në gazetën studentore “BOTA JONË”. Këtu kemi të bëjmë me tekste poetike, ndërsa me tekste melodike kam filluar para studimeve, por gjithnjë atë botë si amator.
KOHA: Si erdhi deri tek ideja që të merresh me tekste këngësh?
Jeta ime gjithnjë ka qenë e rrethuar me muzikë. Që i vogël i kam përcjellë trendet si në arenën muzikore të vendit, ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Gjëja e parë që kam parë dhe shoh në një këngë është pikërisht teksti. E analizoj shumë, e shoh si është rimuar, si është zhvilluar motivi dhe si e interpreton këngëtarja, këngëtari apo grupi. Si i ri mendoja se do të jetë e pamundur që pikërisht unë mund të jem ai vargjet e të cilit do ti parapëlqen masa, por ja Zoti e deshi që këngët e mia të dëgjohen nga një masë e konsiderueshme.
KOHA: Secili fillim ka vështirësitë e veta, po si ka qenë fillimi për Avniun?
Unë nuk kam pretenduar asnjëherë majat. Kam filluar me entuziazëm dhe me vetëdëshirë për të bërë diçka të bukur, së paku për ta kënaqur shpirtin tim. Nuk më ka interesuar se a do pëlqehen nga këngëtarët dhe masa, thjesht fillimet e mia kanë qenë krijimtari shpirtërore, andaj nuk kanë qenë të vështira fillimet.
KOHA: Janë bërë shumë vite që kur ke nisur të shkruash, sikur ta ktheje kohën mbrapa, a do merreshe përsëri me këtë punë?
Realisht koha nuk kthehet mbrapa, por mbesin vetëm gjurmët e kohës së kaluar. Sikur të isha kthyer në një personalitet tjetër, sigurisht që nuk do të merresha me këtë profesion, ndërsa si Avni Qahili përsëri do ta bëja këtë punë, sepse nuk di punë tjetër të bëj.
KOHA: Lista e bashkëpunëtorëve sigurisht që është e gjatë, mund të na përmendësh dikë që punoni me vite dhe keni gjetur gjuhën e përbashkët?
Lista është e stërgjatur, mendoj që 90 për qind të krijuesve muzikor shqiptarë i kam miq dhe bashkëpunëtorë, duke filluar nga Kristi Pasha, Virusi, Adi Hila, Dritëro Shaqiri, Florent Boshnjaku, Robert Billbillov, Darko Dimitrov e deri tek talenti i ri Genti Hoxha. Këto pak emra janë kompozitorë me të cilët më së tepërmi bashkëpunojë, duke mos i nënvizuar edhe shumë të tjerë të cilët për momentin nuk më kujtohen. Sa i përket këngëtarëve janë aq shumë saqë nuk do të ishte korrekte nga ana ime të veçoj dike sepse kjo listë është aq e gjatë.
KOHA: Krahas teksteve, ju jeni edhe moderator emisionesh, shouman, ku e gjen veten më së miri?
Këto tre komponeta janë pikërisht enigma e suksesit tim. Puna si gazetarë ka të bëjë me përshkrimin e një ngjarje çfarëdo qoftë, ndërsa ngjarje është edhe një spektakël që unë e prezantoj. E kur në spektakël prezantohen shumica e këngëve të mija, atëherë këtu qëndron suksesi. Bashkëpunëtorët e mi unë i njoh më së miri dhe saktë e di se çfarë prezantimi duan ato.
KOHA: Më parë tekstshkruesi e shkruante tekstin dhe ia jepte këngëtarit dhe bëhej aranzhimi muzikor dhe këndohej,kurse tani tekstshkruesi duhet ta shkruaj tekstin që t’i përshtatet demos muzikore që ka bërë aranzhuesi i muzikës. Atëherë apo tani është më lehtë për ty si tekstshkrues?
Rregull muzikore është që të shkruhet teksti mbi të cilin do të bëhet vija melodike, pastaj këngëtari e këndon dhe krejt në fund bëhet orkestracioni dhe post produkcioni i këngës. Mirëpo kohëve të fundit, prurjet e shumta dhe huazimet e huaja të detyrojnë që të shkruash tekst mbi një demo që ta sjell vet këngëtari, ky është akt i kryer dhe ti si tekstshkrues – e shkruan vetëm tekstin. Kohët kanë ndryshuar dhe hiperprodukcioni e bën të vetën jo vetëm te ne shqiptarët, por në mbarë botën.
KOHA: Tekstet e cilit këngëtar ose grup të pëlqejnë dhe do kishe pasur dëshirë të ishe autori i tyre?
Në arenën muzikore shqiptare, shumë më pëlqejnë tekstet e Arsim Bunjakut dhe Aida Barakut. Ndërsa unë si ëndërr të parealizuar e kam të bashkëpunoj me divat botërore siç janë Dua LIpa dhe Rita Ora.
KOHA: Me cilët këngëtarë akoma nuk ke bashkëpunuar, por do doje të bashkëpunoje?
Sa është e gjatë lista e këngëtarëve me të cilët kam bashkëpunuar, po aq e gjatë është lista e këngëtarëve me të cilët nuk kam bashkëpunuar. Të them emra konkret do të ishte vardisje andaj edhe nuk do përmendi askë. Pak më lartë përmenda dy emra të mëdha që i kam ëndërr për bashkëpunim.
KOHA: A të ka mbetur akoma ndonjë tekst që e ke bërë për ndonjë x këngëtar dhe nuk ke arritur t’ia japësh?
Të gjitha tekstet i bëj me porosi nga vetë këngëtarët. Nëse nuk parapëlqehet, atë tekst nuk e përdorë te asnjë këngëtarë tjetër.
KOHA: Po ndonjë tekst të është kthyer që nuk e kanë pëlqyer?
Ndodh edhe kjo gjë. Rrallë, por ka ndodhur. Ashtu siç unë e kam dashuri çdo tekst që e shkruaj, ashtu duhet ta ndjejnë edhe vetë këngëtarët. Sado që i bukur të jetë teksti, nëse atë nuk e ndjen këngëtari, është e kotë, andaj më ka ndodhur që edhe të më kthehet ndonjë tekst.
KOHA: Po ndonjë tekst që e ke bërë dhe je bërë pishman që i’a ke dhënë dikujt?
Prej momentit që cilido këngëtar qoftë i ri apo i popullarizuar vendos që unë t’ia bëj tekstin, rregullat janë të njëjta – të gjithë janë të barabartë dhe të shenjtë për mua. Mundohem që ta bëj gjënë më të bukur për atë këngëtarë që më përzgjedh mua andaj asnjëherë nuk jam pishman, por përkundrazi – jam krenar për atë bashkëpunim pa marrë parasysh nga është, kush është dhe sa është i poullarizuar.
KOHA: Gjithë tekstet që i shkruan Avniu dalin hite, a ka ndonjë magji këtu?
Magjia është tek shpirti, tek dashuria,tek sinqeriteti dhe tek profesionalizmi. Nëse një punë nuk e dashuron dhe nuk i përkushtohesh qind për qind pa mare parasysh come back-un, nuk mund të jesh i suksesshëm. Punën që e bëj unë e dashuroj sa vetë jeta dhe nuk kursej ditë e net për të krijuar një gjë të bukur kjo është magjia.
KOHA: Krahas temave të përditshme dhe atyre që të kërkojnë këngëtarët, ku inspirohesh më shumë?
Kryesisht në përditshmërinë tone shqiptare, në ndryshimet kolektive që po ndodhin, në ndjenjën emocionale timen dhe të artistit. Frymëzim është të lexosh një roman, frymëzim është te dëgjosh një këngë të bukur, frymëzim është të dëgjosh për një tradhti, një bashkim apo një dashuri.
KOHA: Talenti, leximi…, a ka ndonjë specialitet tjetër në tekstshkruarje?
Sigurisht që pos talentit, leximit dhe përgatitjes profesionale që ke është kontinuiteti i kësaj pune, përcjellja e çdo krijimi muzikor që nuk e ke bërë ti, Kontakti i vazhdueshëm me krijuesit e tjerë dhe përcjellja 24/7 e të gjitha ndodhive në arenën muzikore.
KOHA: Dhe për fund, kush është Avniu jashtë asaj që e njohim?
Baba i dy fëmijëve të mrekullueshëm, bashkëshort i jashtëzakonshëm, bir i një nëne që është më e mira në botë. I dua ahengjet dhe kudo që jam prezent përveç mua të gjithë kalojnë bukur (qesh).