Është emër i njohur i muzikës, këngëtar i dëshmuar prej shumë vitesh. E kemi dëgjuar prej kohësh, herë me balada të ndjeshme e herë me këngë ritmike. Piktor e këngëtar, bota e Avni Hadërgjonajt po që është gjithë ngjyra. Lexoni intervistën me të dhënë për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Ku je, ku ke humbur?
E vërtete që ka kohë që nuk kam qenë prezent në muzikë, nuk kam realizuar ndonjë këngë a projekt që do të më mbante më pranë me publikun. Kjo nuk do të thotë se nuk kam qenë në kërkim të materialeve muzikore. Ndërkohë, jetoj në Suedi ku kam ndërtuar jetën time.
KOHA: Pse s’të kemi parë prej kohësh me ndonjë projekt të ri muzikor?
Sigurisht, arsyet e këtij largimi lidhen edhe me ca gjëra të jetës personale. Gjithsesi, do të kthehem dhe uroj që projekti i ri ta gjej dëgjuesin dhe admiruesin e vetë.
KOHA: Kënga që e konsideron hit të karrierës?
Unë kam disa këngë, e gjithashtu edhe albume muzikore. Karriera ime është e mbushur me këngë të zhanreve të ndryshme, por ajo që më pëlqen e që gjithashtu mendoj se ka marrë epitetin e hitit është kënga me titull “Nuk të njoh”, që është projekt i para dy vitesh.
KOHA: Je edhe piktor. Temat që i dominojnë veprat tua?
Unë kam studiuar për pikturë dhe arti në përgjithësi është dashuria ime e madhe. Temat janë nga më të ndryshmet, pjellë e imagjinatës sime artistike. Shpesh janë sureale.
KOHA: Po jetës tënde kush i jep ngjyre?
Familja, vajza ime Lorena që është piktura dhe kënga më e bukur në botë.
KOHA: Si është të jesh baba i një vajze dhe sa kuptim i jep Lorena jetës suaj?
Siç e thash, Lorena është dashuri e madhe. Jemi të bekuar me të, pasi është një fëmijë i shëndetshëm, i talentuar dhe shumë i këndshëm.
KOHA: A po e trason e bija rrugën tënde?
I pëlqen muzika dhe studion për piano. Është shumë e talentuar dhe e përkushtuar.
KOHA: Avni jeton larg Kosovës, a ndjen mall për vendlindjen?
Sigurisht që ndjej mall për vendlindjen, për Kosovën time të dashur. Të jetosh larg vendlindjes nuk është e lehtë, sepse e ndjen nevojën e të qenit pranë njerëzve të dashur për ditë.
KOHA: Ushqimi tradicional që e shijon më shumë?
Nuk jam nga ata njerëz që konsiderohen gurman. Por, gjithsesi shijoj me kënaqësi disa lloje ushqimesh, ndër to edhe tradicionale. Kryesojnë pitet e flia. Të gjitha ushqimet e përgatitura nga duart e nënës shijojnë më shumë.
KOHA: Të shohim me shumë stil, po cili është elementi që e karakterizon më fuqishëm llukun tënd?
Stili im varion nga ai minimalist në atë ekstravagant. Në përditshmëri përgjithësisht vishem thjeshtë dhe praktik ndërkaq në skenë më pëlqen të jem edhe ekstravagant, ndonëse kjo varet edhe nga natyra e këngës.
KOHA: A do ti kthehesh këngës?
Patjetër, shumë shpejtë.
KOHA: Diçka që nuk është thënë, e që e ndjen se duhet të thuhet?
Të përpiqemi të bëhemi njerëz të mirë, të duam sinqerisht dhe t’u zgjasim dorën atyre që kanë nevojë.