Disa aeroplanë të Aviacionit ushtarak egjiptian sot zbatuan gjashtë sulme në kampet në afërsi të Dernas, në Libi, ku besohet se janë trajnuar ekstremistët përgjegjës për sulmin e të krishterëve në Egjipt, kumtuan burime ushtarake egjiptiane, transmeton Tanjug. Presidenti egjiptian, Abdell Fatah al Sisi, në një fjalim televiziv, theksoi se ka urdhëruar sulme kundër kampeve terroriste, duke shtuar se shtetet të cilat e mbështesin terrorizmin do të dënohen.
Të paktën 28 persona e humbën jetën, ndërsa mbi 20 janë plagosur dje, në jug të kryeqytetit egjiptian Kajro, gjatë një sulmi të armatosur ndaj një autobusi i cili ka transportuar besimtarë të krishterë koptë. Sulmin e ka kryer një grup i personave të armatosur, të cilët në vendin e incidentit kanë ardhur me tre automjete terrenore. Dëshmitarët okularë pohojnë se sulmin e kanë kryer midis tetë dhe dhjetë persona, të cilët më pas janë drejtuar në drejtim të panjohur.
Menjëherë pas sulmit, presidenti egjiptian Abdell Fatah al – Sisi konvokoi seancë të jashtëzakonshme të Këshillit egjiptian për siguri nacionale. Tani për tani askush nuk e ndërmori përgjegjësinë për sulmin, por në të kaluarën sulme të ngjashme kanë kryer pjesëtarë të grupit Shteti Islamik. Sulmin menjëherë e ka dënuar edhe SHBA-ja.
“Duhet t’i vihet fund vrasjes së krishterëve në Lindjen e Afërt”, deklaroi presidenti i SHBA-së, Donald Tramp. “Terroristët po bëjnë luftë kundër civilizimit dhe është borxh i të gjithë atyre që e vlerësojnë jetën e njeriut, të ballafaqohen kundër kësaj të keqe dhe ta mposhtim”, tha Tramp, përmes kumtesës nga Shtëpia e Bardhë.
Sipas tij, Amerika “qartë u thekson miqve, aleatëve dhe partnerëve se komunitetet të krishterë në Lindjen e Afërt duhet të ruhen dhe të mbrohen. Derdhja e gjakut të krishterëve duhet të ndalojë dhe të gjithë që i ndihmojnë vrasësit, duhet të dënohen. Kjo vrasje e të krishterëve në Egjipt i lëndon zemrat tona dhe shkakton dhimbje në shpirtin tonë”, tha presidenti i SHBA-s. Sipas tij, megjithatë kjo do ta përforcojë vendosmërinë e vendit që të ballafaqohet me organizatat terroriste dhe ta tjetërsojë “ideologjinë e tyre të ashpër”.