Mësuesit që kanë aplikuar për konkursin e MASH-it kanë pyetur se deri ku ka arritur radhitja e kandidateve dhe përzgjedhja e tyre për t’u avancuar në karrierë. Ata gjithashtu ankohen për vonesën e publikimit të emrave dhe transparencës nga MASH-i
Zenel MIFTARI
Shkup, 10 qershor – Kanë kaluar pesë muaj nga shpallja e thirrjes publike për avancimin e mësueseve në titullin mësues-mentor, thirrje e cila ishte për mësuesit e shkollave. Edhe pse është pothuajse fundi i vitit shkollor, renditja e kandidatëve që do të avancohen – megjithatë ende nuk është publikuar. Mësuesit që kanë aplikuar për konkursin e MASH-it kanë pyetur se deri ku ka arritur radhitja e kandidateve dhe përzgjedhja e tyre për t’u avancuar në karrierë. Ata gjithashtu ankohen për vonesën e publikimit të emrave dhe transparencës nga MASH-i. Ndërkohë, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), thonë se avancimi i mësueseve të shkollës fillore në titullin mësues-mentor, është në fazën përfundimtare dhe së shpejti do të publikohen emrat e mësueseve që priten të avancohen në detyrë.
“Nuk ka vonesë në realizim. Kjo është një procedurë që zgjat më shumë, duke pasur parasysh që pas aplikimit të mësueseve, ekzistojnë komisione për kontrollimin e përmbushjes së standardeve profesionale për titullin mësues-mentor. Pastaj duhet të kërkohet një vlerësim nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe mendim nga shkolla amë e mësuesit për përmbushjen e standardeve për avancim në titullin mësues-mentor”, arsyetohen nga MASH-i.
Në thirrjen publike, çdo mësues që ka të paktën shtatë vjet përvojë pune si mësues, është i punësuar për një kohë të pacaktuar dhe nëse i plotëson standardet tjera profesionale për një mësues-mentor, kishte mundësi që të aplikoj në thirrjen publike. Sipas ekspertëve, kushti i tretë është i diskutueshëm, pasi nuk është përcaktuar saktë se kush do ta vërtetoj se një mësues në arsimin fillor meriton të zgjidhet me titullin mësues-mentor. Njohësit e çështjeve të arsimit gjithashtu kanë ngritur dilemën nëse një shkollë me një numër të vogël nxënësish dhe mësuesish – barazohet me një shkollë ku numri i nxënëseve është shumë më i madh. Gjithashtu ata thonë se në një shkollë ku plotësojnë kushtet 10 mësues, përse vetëm njëri mund të zgjidhet si mësues-mentor. Ndryshe, ata që do të jenë në listën përfundimtare të përzgjedhjes së komisionit dhe do të avancohen në punë – do të marrin pagë më të lartë për 2869 denarë. (koha.mk)