Ankesat e këtij komuniteti janë të shumta, kurse hartuesit e ndryshimeve të reja kushtetuese do të duhej të ulen një ditë të bukur me diell dhe bashkë me biznesmenët shqiptarë të hartojnë strategjinë e zhvillimit të ideve e projekteve me interes për komunitetin që i rrethon, duke e avancuar këtë strategji në normë kushtetuese. Barazia duhet të jetë e prekshme, substanciale dhe sidomos aty ku luhet paraja
Nga Emin Azemi
Në ndryshimet e ardhshme kushtetuese do të duhej të përfshihen edhe disa çështje kruciale që lidhen me statusin e shqiptarëve në sferën e ekonomisë, si dhe me vendimmarrjen e tyre në këtë sferë, bashkë me një sërë rregullativash që formalizojnë raportin në mes të investimeve dhe tregut, në mes të kuadrove dhe kompanive, në mes të kompetencave të komunave dhe investimeve të diasporës, e kështu me radhë.
Tani siç qëndrojnë punët, bizneset shqiptare kanë shanse të vogla të jenë të barabartë me ato maqedonase, sidomos pas pavarësimit të të ashtuquajturave agjenci dhe inspektorate shtetërore, të cilat u bënë të pavarura vetëm për shkakun se në krye të disa ministrive përkatëse ishin kuadro shqiptarë. Politika maqedonase e asimilimit perfid kishte shpikur këtë formë të pavarësimit të agjencive (bie fjala, Agjencia e ushqimit dhe Veterinarisë dhe shumë të tjera), vetëm e vetëm që ministrat shqiptarë të mos kenë qasje në dallaveret që i bën makineria e burokratëve maqedonas në segmente të caktuara ku bëhet kontrolli, licencimi, aprovimi i produkteve.
Të dhënat nga terreni flasin për një ndërhyrje arbitrare në kompetencat e ministrave shqiptarë, duke shpikur lloj-lloj postesh zëvendëskryeministrash dhe drejtorë agjencish, përmes të cilëve është bërë një ‘bay pas’ subordonimesh, me qëllim të shmangies elegante të ministrave shqiptarë. Politikat qeveritare të karakterit ekonomik, tash e disa vite kanalizohen sipas interesave te ngushta të një lobi politik, i udhëhequr nga politikanë e biznesmenë maqedonas, ku e kanë vështirë të kenë qasje politikanët dhe biznesmenët shqiptarë. Njëra prej ministrive që ka qenë në vazhdimësi e fokusuar nga këto lobe, e ku mbivendosja e kompetencave është bërë në emër të njëfarë koordinimi me zëvendëskryeministrin për Çështje ekonomike (që “rastësisht” qëllon të jetë biznesmen maqedonas), tash e 20 vite ka qenë ajo e Ekonomisë.
Ja disa nga sektorët që ishin nën mbikëqyrjen e kësaj ministrie, e që tani janë shkëputur dhe funksionojnë ose si të pavarur ose i janë bashkangjitur ministrive që udhëhiqen nga ministra maqedonas.
Sektori i tregtisë ndërkombëtare mbi importin e mallrave dhe shërbimeve, Doganat, Rezervat Shtetërore, të gjitha këto ishin nën kontrollin e Ministrisë së Ekonomisë, tani janë nën kontrollin e Ministrisë së Financave dhe Bujqësisë. Mjetet financiare për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme ishte në kompetencë të Ministrisë së Ekonomisë, kurse tani ka kaluar në kompetencë të zëvendëskryeministrit për Çështje ekonomike dhe Ministrisë së Financave. Po ashtu edhe IPA fondet ishin nën mbikëqyrje të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, tani i kanë kaluar institucioneve tjera. Mjetet financiare për mbështetjen e eksportit, ishin nën udhëheqjen e Ministrisë së Ekonomisë, kurse tani me këtë çështje merret Ministria e Financave. Shitja e kapitalit shtetëror, udhëhiqej nga Ministria e Ekonomisë, kurse tani – Ministria e Financave. Fusha e energjetikës menaxhohej nga Ministria e Ekonomisë, kurse tani janë zëvendëskryeministri për Çështje ekonomike dhe Ministria e Financave që e thonë fjalën e fundit.
Mendim i përgjithshëm i komunitetit të biznesit është se ministrave shqiptarë nuk u ka munguar dija dhe profilizimi përkatës për të udhëhequr projekte të caktuara, por kjo është pamundësuar për shkak të “duarve të lidhura” që jo rrallë i kanë patur për të vendosur për projekte të rëndësishme. Ankesat e këtij komuniteti janë të shumta, kurse hartuesit e ndryshimeve të reja kushtetuese do të duhej të ulen një ditë të bukur me diell dhe bashkë me biznesmenët shqiptarë të hartojnë strategjinë e zhvillimit të ideve e projekteve me interes për komunitetin që i rrethon, duke e avancuar këtë strategji në normë kushtetuese.
Barazia duhet të jetë e prekshme, substanciale dhe sidomos aty ku luhet paraja.