Orkestra e Filarmonisë së Maqedonisë sonte më 20 janar në ora 20 do të mbajë koncertin me titull “Ava”, në të cilin si soliste do të performojë njëra nga saksofonistet më të mira të muzikës klasike – Asja Fatejeva nga Krimea/Gjermania.
Programi përfshin Rapsodinë për alt-saksofon dhe orkestër nga Klod Debisi, Koncertin Tallahatçi për saksofon dhe orkestër nga Jakob Ter Veldhaus, i cili do të interpretohet për herë të parë në Maqedoni dhe Simfonia nr. 10 nga Dmitri Shostakoviç. Dirigjent është maestro Konrad van Alphen nga Holanda.
Rapsodi për saksofon dhe orkestër alto, i shkruar nga impresionisti francez Klod Debisi, i njohur gjithashtu si “Mavritanska” dhe “Rapsodi oriental” u kompozua në vitin 1911 si një vepër për saksofon dhe piano. Është orkestruar në vitin 1919 nga kompozitori Zhan Rozhe Dukas. Është shkruar në stilin tipik të autorit për të cilin dallohet Debisi. Në të ka impresionizëm muzikor në të gjitha ngjyrat dhe nuancat, vërshimet e buta dhe një atmosferë specifike, aq e dallueshme për veprën muzikore të Debisit. Saksofoni e tregon me butësi dhe pa pretendime historinë, ndërsa orkestra, përmes ngjyrës intensive të melodive dhe ngjyrave orkestrale, plotëson në mënyrë delikate solistin dhe së bashku krijojnë një shpërthim emocionesh, ngjyrash dhe dinamikash.
Kompozitori holandez avangardë Jakov TV (Jakob Ter Veldhaus, 1951) filloi karrierën e tij muzikore si muzikant rok. Ai studioi kompozim dhe muzikë elektronike me Luktor Ponse dhe Villiam Frederik Bon në Konservatorin “Groningen”.
Ai fitoi Çmimin e Kompozicionit të Holandës në vitin 1980 dhe që atëherë i është përkushtuar tërësisht punës së tij si kompozitor.
Simfonia e dhjetë e kompozitorit rus Dmitri Shostakoviç (1906 – 1975) është një kryevepër muzikore e mbushur me tragjedi, dëshpërim, terror, dhunë dhe disa minuta triumf. Që nga fundi i viteve 1970, kjo vepër është interpretuar si një ilustrim muzikor i viteve të stalinizmit në Rusi, kur nga tetë deri në 20 milionë njerëz u likuiduan me direktivë të regjimit të Stalinit. Shostakoviç e ndjeu regjimin e pamëshirshëm direkt, në lëkurën e tij – ai u diskreditua publikisht si kompozitor, veprat e tij u ndaluan dhe ai kishte statusin e personit non grata. Miqtë dhe kolegët e lanë dhe nuk u kthyen më në jetën e tij. Tmerri që ishte pjesë përbërëse e këtyre viteve dhe pushimi kolektiv pas vdekjes së Stalinit në vitin 1953 ishin frymëzimi për Simfoninë e Dhjetë të Shostakoviçit.
“Shpresoj se saksofoni klasik do të arrijë të marrë vendin e merituar në skenën muzikore botërore”, thotë Asja Fatejeva. Shumica e njerëzve kur dëgjojnë fjalën “saksofon” pothuajse gjithmonë e lidhin atë me muzikën xhez. Me prezencën e saj në skenën muzikore botërore, Fatejeva dëshiron ta ndryshojë këtë kontekst dhe të dëshmojë se saksofoni është një instrument i pranishëm edhe në muzikën klasike.
Në vitin 2014 është femra e parë që arrin të futet në finale për çmimin prestigjioz “Adolf Saks Avard” në konkursin ndërkombëtar në Belgjikë, ku fiton vendin e tretë.
Fatejeva interpreton si soliste pothuajse me të gjitha orkestrat e njohura botërore, ndërsa që nga viti 2014 jep mësime saksofoni në Munster të Gjermanisë.
Dirigjenti i njohur holandez/afrikano-jugor Konrad van Alfen ka fituar popullaritet si me orkestrat ashtu edhe me audiencën falë mënyrës së veçantë që ai drejton provat dhe shfaqjet. Maestro Van Alfen është drejtor artistik dhe kryedirigjent i Orkestrës Simfonike të Roterdamit. Në 16 vitet e fundit, ai e ka ngritur orkestrën e tij në nivelin e të qenit një orkestër e njohur ndërkombëtarisht dhe të bëhet nikoqir i koncerteve në Roterdam, Hagë dhe Amsterdam. Turnetë e fundit ndërkombëtare të orkestrës përfshijnë: Rusinë, Meksikën, Brazilin, Kolumbinë dhe Kilin.
Nga viti 2005 deri në vitin 2009 Konrad van Alfen mbajti postin e Kryedirigjentit të Orkestrës Simfonike Shtetërore Safonov në Rusi, ku mori një çmim për kontributin e tij në kulturën e Rusisë Jugore. Për momentin është drejtor artistik i Shoqatës Filarmonike të Moskës, në kuadër të së cilës dirigjon rregullisht orkestrat nga Moska, në sallën e famshme “Çajkovski”.