Shkup, 8 korrik – Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, në bashkëpunim me Organizatën e konsumatorëve, në kuadër të Programit për mbrojtjen e konsumatorit për vitin 2020, ka hartuar doracakë për operatorët që përgatisin ushqim për kopshtet e fëmijëve dhe shkollat fillore.
Gjatë përgatitjes së përmbajtjes, janë marrë parasysh rregulloret ligjore në lidhje me sigurinë e ushqimit, si dhe Rregulloren për standardet e ushqimit dhe ushqimet në shkollat fillore, të miratuar nga Ministria e Arsimit.
“Në doracakët përshkruhet procedura për prodhimin e mirë dhe praktikat e mira të higjienës, të cilat duhet të zbatohen nga operatorët e ushqimit në këtë lloj objekti. Doracakët përmbajnë propozim javor të menysë që plotëson nevojat ushqyese të fëmijëve në parashkollorë – kopshte të fëmijëve dhe nxënës të shkollave fillore”, njoftojnë nga AUV-ja.
Doracakët, përveç në faqet e internetit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Organizatës së mbrojtjes së konsumatorit, në bashkëpunim me BNJVL-në, Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, do të postohen në faqet e internetit të komunave dhe shkollave fillore në tërë shtetin.