Urim HASIPI
Tetovë, 15 gusht – Edhe pse tashmë rishikimi i Buxhetit ka marrë formën zyrtare, megjithatë investimet kapitale infrastrukturore për Maqedoninë Perëndimore – gjegjësisht në viset e banuara kryesisht me shqiptarë nuk kanë gjetur vend në këtë buxhet, shkruan gazeta KOHA. Bëhet fjalë për rrugën e Arbërit dhe rrugën Tetovë-Prizren. Të dy këto projekte do të duhet të presin edhe shumë gjatë pa ndonjë afat që të hyjnë në prioritetet e Qeverisë. Ndonëse shtetet fqinje siç është Shqipëria dhe Kosova tashmë nga ana e tyre punojnë intenzivisht në aspektin e infrastrukturës, siç është autostrada Prishtinë-Han i Elezit dhe së fundmi kur Qeveria e Shqipërisë ka ndarë 260 milionë euro për vazhdimin e rrugës së Arbërit, Maqedonia në këtë drejtim nuk ka ndërmarrë asgjë. Profesori universitar, Vullnet Palloshi, thotë për gazetën KOHA se edhe me buxhetin e ri nuk janë avancuar projektet shqiptare. “Fakt është që me rebalancin e ri të buxhetit , shohim se nuk janë avancuar kërkesat e popullatës së Maqedonisë Perëndimore, veçanërisht në pjesët që për një kohë të gjatë, për 20 e sa vite – vetëm se premtohen, prolongohen dhe asnjëherë nuk realizohen. Përveç rrugëve në lidhje edhe me infrastrukturën në përgjithësi, hekurudhat… sërish mund të shohim se ka ngecje të mëdha, faktikisht me këtë përparësi ju jepet projekteve në Maqedoninë Lindore, ndërsa Maqedonia Perëndimore si duket për një periudhë të gjatë kohore për 15 apo 20 vite është harruar apo e anashkaluar dhe siç duket – nuk kemi fuqi të bindim pjesëmarrësit në Qeveri që duhet të bëhet një ndarje shumë më e mirë e mjeteve për avancimin e popullatës edhe në këtë pjesë të Maqedonisë”, thotë Palloshi.
AKUZON EDHE OEMVP
Ndërkohë që këto vërejtje edhe Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore i ka adresuar tek qeveritë, por nuk janë marrë parasysh. “Ne si Odë Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore i kemi tërhequr vërejtjen Qeverisë që gjatë gjithë kësaj periudhe sa funksionojmë, që ata më tepër ti përkushtohen infrastrukturës sepse Maqedonia nuk është vetëm Lindore, mirëpo ka edhe anën e sajë Perëndimore, dhe atë Veriore…, që të zhvillojmë në mënyrë të barabartë, sepse zhvillimi i pabarabartë dhe rajonal ndikon edhe më shumë në ikjen e të rinjve nga vendet tona, sepse kur nuk kemi infrastrukturë – atëherë nuk ke bazë më të madhe për të funksionuar. Pra, inicialisht në shpresojmë dhe besojmë se vitin e ardhshëm, Buxheti do të votohet edhe me projektet, të cilat janë kapitale edhe për ne – shqiptarët, sepse këtë vit realisht nuk kishte edhe aq hapësirë për tu bërë të njëjtat”, tha për KOHA Milaim Ameti, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore. Ai më tej shton se edhe partitë politike shqiptare nuk janë angazhuar shumë në këtë drejtim. “Për fat të keq, ne kemi pasur parti politike të cilat kanë qenë për gjatë kohë në pushtet dhe nuk kanë arritur të realizojnë një autostradë prej trembëdhjetë kilometrash Shkup-Bllacë. Kjo është një fatkeqësi për ne – shqiptarët, por shpresojmë se janë vetëdijesuar dhe do të fokusohen më tepër në zhvillim ekonomik se sa në ato që i përmendët ju më herët”, tha ai. Nga ana tjetër, profesori Palloshi, shprehet se dy shtetet fqinje – Kosova dhe Shqipëria janë duke punuar intenzivisht në sferën e lidhjes ndërshtetërore në aspektin e infrastrukturës, kurse Maqedonia nuk u jep prioritet këtyre projekteve. “Fakt është që tashmë është bërë tenderimi i Rrugës së Arbërit për 260 milionë euro dhe mendoj që për pesë vite, pjesën e Shqipërisë do ta kryejnë, mirëpo ne jemi askund, sepse nuk kemi as projekt të aprovuar e as projekt ideor për atë pjesë që duhet të lidhet me Rrugën e Arbërit , nëpërmjet Dibrës, dhe vetëm bëhet një shminkim, një zbukurim të themi i pjesës së Gostivarit, Mavrovës për në Dibër me disa përmirësime kozmetike, të cilat në shumë raste – janë edhe të rrezikshme pasi nuk ju përmbahen kushteve gjeometrike të rrugës, por vetëm bëhet një shtresë e asfaltit… bëhen disa përmirësime minimale sa për të thënë që ja – po punojmë atje. Objektet kapitale anashkalohen në mënyrë të vazhdueshme nga ana e të gjitha buxheteve që miratohen në Maqedoni”, shprehet Palloshi.
HARROHET RRUGA E PRIZRENIT, AJO E ARBËRIT DHE BLLACA
Ndërkaq, sipas tij, Maqedonia është duke lëvizur në një situatë kur të gjithë fqinjët do të vijnë me autostrada në kufi, kurse brenda do të hasin në rrugë të mjerueshme për qarkullim. “Përveç kësaj, ne kemi edhe pjesën për të cilën gjatë gjithë kohës flitet – Rrugën e Prizrenit, që shohim se për të vetëm flitet. Një pjesë që ka filluar është filluar me ndihmat nga Gjermania, sepse nuk është prioritet i Qeverisë. Kështu që, për fat të keq, duhet të konstatojmë se avazi i vjetër vazhdon që nënkupton se ne nuk jemi pjesëmarrës në ndarje të buxhetit dhe mjeteve, e veçanërisht të projekteve që janë strategjike për Maqedoninë Perëndimore, por në përgjithësi edhe për vet Maqedoninë, siç është edhe pjesa e Korridorit 8. Kemi edhe pjesën prej Gostivarit në Kërçovë, pasi edhe në këtë pjesë ende nuk kemi hyrë në fazën e mbarimit të dokumentacionit dhe tenderimit. Po ashtu, edhe pjesa e lidhjes së Shkupit, apo autostradës së Shkupit me Bllacën ka mbet anash. Shumë shpejtë do të vijmë në një situatë shumë të vështirë kur fqinjët tanë do të vijnë me autostrada deri në kufij dhe do të duhet të hyjnë në rrugët regjionale me një shpejtësi tejet të kufizuar”, deklaroi Palloshi.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.