Autostradat, 10 milionë euro për 1 kilometër!

303

Analiza e Institutit për Demokraci tregon se deri në shtator të vitit 2020, vonesa e përgjithshme është 1912 ditë apo pesë vite dhe dy muaj, ndërsa vlera e re e përllogaritur e autostradave është 1 miliardë e 81 milionë dollarë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 28 nëntor – Projeksionet tregojnë se një kilometër i autostradës Kërçovë-Ohër do të kushtojë mbi 10 milionë euro për një kilometër. Përskaj vonesave në realizim, ai do të kushtojë edhe gati dyfish se shuma fillestare e parashikuar, ndërsa një njollë e zezë mbi realizimin e tij mbetet edhe procesi gjyqësor ku për dyshimet e keqpërdorimeve zyrtare , po zhvillohet procesi gjyqësor “Trajektorja”. Nënshkrimi i marrëveshjeve të drejtpërdrejta për projektet kapitale infrastrukturore pa ankand publik po rrit edhe rrezikun nga korrupsioni. Kjo ishte edhe rasti me marrëveshjen e nënshkruar me kompaninë kineze “Sinohidro”, për ndërtimin e autostradave Shtip-Miladinovci dhe Kërçovë-Ohër, theksohet në analizën e Institutit për Demokraci për ndërtimin e autostradave në Maqedoninë e Veriut. Analiza është përgatitur nga ky institut me mbështetjen e CIPE nga Uashingtoni apo Qendra ndërkombëtare private. Ndër të tjerash, hulumtimi thekson se ndërtimi i dy autostradave në vend ngre edhe çështje serioze lidhur me procesin e kontraktimit apo marrëveshjes, si dhe me ndërtimin në tërësi të këtyre akseve të rëndësishme rrugore.

Përfundimi i projektit, e sidomos ai i aksit Kërçovë-Ohër, është anuluar së paku tre vite, ndërsa harxhimet për ndërtim janë rritur dukshëm. Këto rrethana kanë vendosur një pikëpyetje të madhe lidhur me kushtet e volitshme që Banka Kineze për eksport dhe import ju ka ofruar autoriteteve të Maqedonisë për ndërtimin e të dyja autostradave. Analiza më tej thekson se marrëveshja origjinale e huas ishte me vlerën prej 783.4 milionë dollarë, që paraqet 90 për qind të vlerës totale të ndërtimit për të dyja autostradat. Deri në shtator të vitit 2020, vonesa e përgjithshme është 1912 ditë apo pesë vite dhe dy muaj, ndërsa vlera e re e përllogaritur e autostradave është një miliardë e 81 milion dollarë. Me anekset e marrëveshjes ndaj kontratave origjinale prej 14 nëntorit të vitit 2018, kostoja e punëve ndërtimore është rritur për afër 211 milionë dollarë, ndërsa vonesa e punimeve vlerësohet në 1249 ditë. Çmimi i aksit rrugor Miladinovci-Shtip nuk ka ndryshuar, por punët ndërtimore janë anuluar për 663 ditë. Aksi rrugor Kërçovë-Ohër nuk ka përfunduar, ndërsa aksi tjetër përfundoi deri më 21 gusht 2020.

Nëse llogariten edhe kamatat që do të paguhen në 15 vitet e ardhshme, në vlerë prej 155.6 milionë dollarë, totali i kostos së autostradave do të arrijë 1.2 miliardë dollarë. Vlera rrjedhëse e vlerësuar e autostradave është 9 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2020 dhe 31.5 për qind e të ardhurave të përgjithshme të buxhetit (Buxheti i plotësuar në muajin maj 2020). Analiza më tej thekson edhe më shumë mangësi gjatë realizimit të marrëveshjes për borxh. “Mungesa e furnizimeve transparente dhe konkurruese karshi kushteve të huas të vendosura nga Banka Kineze për eksport dhe import, të jetësuara në listën e kompanive të supozuara të propozuara nga Qeveria Kineze dhe të miratuara nga ambasada e Kinës në Shkup. Procesi jo transparent dhe jo konkurrues në përzgjedhjen e kompanisë realizuese të projektit me çka u hap rruga për marrëveshje potenciale korruptuese të dëmshme për qëndrueshmërinë dhe vlerën e projekteve”, thuhet më tej në analizën e Institutit për Demokraci.

Njëherësh sugjerohet që Qeveria të jetë e angazhuar edhe më tej në integrimet euroatlantike dhe anëtarësisë përmes përmirësimit të funksionimit të institucioneve demokratike, reformës së administratës publike dhe luftës kundër korrupsionit, përfshi edhe mbylljen e hendeqeve në menaxhim që janë identifikuar në këtë analizë. Apo përmes furnizimeve publike më llogaridhënëse dhe konkurruese , dhe atë jo vetëm për projektet e mëdha infrastrukturore , që do të sigurojë qëndrueshmërinë e tyre dhe vlerën për para. Sugjerohet edhe evitimi i aranzhmaneve financiare nga kreditorët e jashtëm , me të cilat përkufizohen procedurat për furnizime konkurruese. Kuvendi duhet të kryejë mbikëqyrje më të thellë përmes mbajtjes së debateve mbikëqyrëse, përfshi edhe opinionin e ekspertëve të pavarur, para së gjithash para ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare me të cilat krijohen përkufizime politike , financiare dhe të tjera për shtetin. Njëherësh sugjerohet edhe bashkëpunimi me Komisionin për pengimin e korrupsionit për të ulur rreziqet për keqpërdorimin e pozitës zyrtare përmes këshillimit të deputetëve dhe mbrojtjes së legjislacionit dhe politikave nga korrupsioni. (koha.mk)