Autostrada Tetovë-Shkup vazhdon të jetë e rrezikshme

Pas aksidentit që ndodhi ku u përfshi një i ri nga Kumanova, poashtu dy ditë më pas në të njëjtin vend, në urën mbi Lumin Vardar ndodhi një aksident tjetër, por kësaj radhe pa pasoja në viktima por vetëm me të lënduar dhe me dëme materiale

 

Urim HASIPI

Tetovë, 3 tetor – Në autostradën Tetovë-Shkup, brenda nëntë muajve kanë ndodhur 56 aksidente trafiku, raportojnë nga policia e Tetovës. Krahasuar me vitin paraprak për nëntë për qind ka më pak aksidente. Ndërkaq, 48 aksidente trafiku janë regjistruar nga dalja e kafshëve në autostradën Gostivar-Tetovë-Shkup. Por, gjendja e kësaj autostrade është e mjerueshme. Krahas mungesës së telave mbrojtëse që do të parandalonin daljen e kafshëve në autostradë, poashtu mungojnë shenjat e komunikacionit, ose në disa vende janë të vjetruara. Problem në vete është edhe mirëmbajtja e autostradës sidomos në pjesët e kalimit mbi urën në fshatin Zhelinë. Aty autostrada është e dëmtuar dhe nuk është intervenuar.
Në ndërkohë, nga policia e Tetovës thonë se lidhur me aksidentet e shpeshta që ndodhin në këtë autostradë, ata bëjnë çdo tre muaj vëzhgime të gjendjes së rrugëve dhe njoftojnë organet kompetente.

Advertisements

“Detyrimi i Policisë së Komunikacionit është që në çdo tre muaj të bëjë vëzhgim të terrenit gjegjësisht rrugëve, shenjave të komunikacionit e kështu me radhë. Për çdo dëmtim të rrugës, për çdo mungesë të shenjave të komunikacionit, njoftohen organet kompetente dhe kërkohet nga ata që sa më shpejtë të jetë e mundur të menjanohen ato mangësi apo të vendosen shenjave adekuate në vende të caktuara” deklaroi për Gazetën Koha, zëdhënësi i SPB-Tetovë Fatmir Rexhepi. Si pikë më kritike kohëve të fundit paraqitet ura mbi fshatin Zhelinë. Përderisa një aksident u regjistrua të martën kur një i ri nga Kumanova doli nga rruga dhe përfundoi në lum, nga ana tjetër sërish në të njëjtin vend ka ndodhur një aksident tjetër. Policia thotë se mangësitë në rrugë adresohen tek organet kompetente. “Sa i përket vendit në Zhelinë, në atë vend ekziston një shenjë lajmëruese, por nuk është shenjë rreziku apo nuk është në kategorinë e shenjave se paraqet rrezik. Është shenjë që është vendosur shumë kohë më parë, apo që kur është rregulluar kjo autostradë dhe është kërkuar që të vendoset shenjë e re që paralajmëron rrezik edhe atë ngushtim i rrugës shkaku i urës mbi lumin Vardar”, pohon zëdhënësi Rexhepi.
Në ndërkohë, nga policia thonë se kanë marrë premtime se nëse një nga shkaqet që në këtë autostradë janë edhe mungesa e shenjave atëherë do të ndërrohen shenjat ekzistuese me tjera. “Ajo shenjë nuk është ndërruar, por me siguri shkaku i dy aksidenteve të fundit do të ndërrohet, pra nëse një nga shkaqet e aksidenteve mund të jetë edhe mungesa e shenjave atëherë do të vendoset e re dhe kjo na është premtuar nga organet kompetente për mirëmbajtjen e rrugëve dhe vendosjen e shenjave”, thotë Rexhepi.
Pas aksidentit që ndodhi ku u përfshi një i ri nga Kumanova, poashtu dy ditë më pas në të njëjtin vend, në urën mbi Lumin Vardar ndodhi një aksident tjetër, por kësaj radhe pa pasoja në viktima por vetëm me të lënduar dhe me dëme materiale. Përderisa autoritetet kompetente nuk ndërmarrin masa për mirëmbajtjen e rrugëve, ekspertët e komunikacionit apelojnë deri tek vozitësit që të jenë shumë të kujdesshëm kur qarkullojnë me automjetet e tyre në autostradën Shkup-Tetovë-Gostivar. (koha.mk)