Autostrada Shkup-Bllacë, megjithëse është regjistruar si prioritare, do të fillojë punimet pas përfundimit të aksit të autostradës nga Milladinovci për në Shtip. Ministri i Transportit, Sugarevski ka informuar se projektimi në letër i 1.9 kilometrave të para të autostradës Shkup-Bllacë do të përfundojë gjatë muajit të ardhshëm, dhe menjëherë pas kësaj – do të fillojë tenderimi, ndërsa në muajt e ardhshëm – të fillojë edhe ndërtimi i kësaj pjese të aksit rrugor
Delvina KËRLUKU
Shkup, 20 dhjetor – Sot në ASHAM u mbajt një konferencë tematike me moton “Maqedonia megalopolis”, me ç’rast ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski, i nxitur nga një pyetje e gazetës KOHA, dha disa sqarime rreth ndërtimit të rrugës Shkup-Bllacë. Ai me këtë rast njoftoi se projektimi i 1.9 kilometrave të para të autostradës Shkup-Bllacë do të përfundojë gjatë muajit të ardhshëm, dhe menjëherë pas kësaj – do të fillojë tenderimi, ndërsa pritet që në muajt e ardhshëm – të fillojë edhe ndërtimi i kësaj pjese të aksit rrugor. Sipas tij, kjo autostradë është prioritare, dhe menjëherë pas përfundimit të aksit të autostradës nga Milladinovci për në Shtip, pritet që të fillojë ndërtimi i pjesës së parë të autostradës Shkup-Bllacë. Projektimi për 10.5 kilometrat e tjera do të bëhet gjatë vitit vijues ku do të fillojë ndërtimi i kësaj pjese të autostradës, deklaroi Sugarevski. Gjatë sezonit të ardhshëm ndërtimor do të intensifikohet edhe ndërtimi i autostradës nga Kërçova për në Ohër.
“Do të ketë intensifikim serioz edhe të punëve të autostradës Kërçovë-Ohër, sepse me aneksin tre tejkalohet problemi në pjesën e mjeteve, por edhe të katër-pesë problemeve të tjera që i kemi në këtë autostradë”, tha Sugareski. Sa i përket projektit të përfolur më herët për rrugën Tetovë-Prizren, ministri Sugareski për gazetën KOHA tha se nuk duhet spekuluar, por do të shihet studimi i fizibilitetit, nëse mund të bëhet rrugë për t’i lidh këto dy qyetete, me qëllim që, sipas tij, të shihet përballueshmëria për ndërtimin e kësaj rruge.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski, theksoi gjithashtu se infrastruktura rrugore është një prej shtytësve kryesorë të rritjen ekonomike dhe shtoi se në pajtim me programin qeveritar, vitin e ardhshëm do të fillojë në mënyrë më intensive të realizohet ndërtimi dhe rehabilitimi i akseve rrugore në vend.
“Një pjesë e madhe e projekteve të cilat në njëfarë mënyre ishin me defekt janë tejkaluar dhe pritja ime është se viti 2019 do të jetë vit ekonomik. Nëse i shohim të gjithë parametrat në pjesën e infrastrukturës rrugore do të shohim se kudo në Maqedoni është duke u ndërtuar. Autostrada Milladinovc-Shtip është pothuajse gati dhe presim që të përurohet. Problemet në autostradën Kërçovë-Ohër janë tejkaluar dhe duhet të ketë progres të përforcuar të aktiviteteve në periudhën e ardhshme. Në mënyrë intensive janë duke u ndërtuar edhe katër rrugët e shpejta, ndërsa ka edhe rikonstruime dhe rehabilitime të shumta në rrugët rajonale”, tha Sugareski. (koha.mk)