Fisnik PASHOLLI
Shkup, 17 nëntor – Kosova në vitin 2018 pritet edhe zyrtarisht të lëshojë në përdorim Autostradën “Arbën Xhaferi”, që e lidhë Prishtinën me Shkupin. Deri në muajin dhjetor pritet që të përfundojnë punimet në aksin rrugor Prishtinë- Ferizaj, ndërsa autostrada e cila lidh Prishtinën me Shkupin (nga ana e Kosovës) pritet të përfundojë në vitin e ardhshëm, shkruan gazeta KOHA. Maqedonia, nga ana e saj, vetëm se ka paralajmëruar se është duke punuar në pjesën e studimit të fizibilitetit për rrugën nga kufiri deri në unazën e Shkupit, që lidhet me qendrën e Shkupit, në gjatësi prej 13 km.
Njohësit e transportit rrugor thonë se është e pajustifikueshme që në kohën kur Kosova gati sa ka përfunduar rrugën Prishtinë- Bllacë si autostradë, që Maqedonia të mos ketë prioritet ndërtimin e rrugës Bllacë – Shkup si aks modern me katër korsi. Bile, ekspertët e rrugëve thonë se ka kaluar edhe koha e përpilimit të një studimi fizibiliti.
ASNJË PËRBËRJE QEVERITARE NUK TREGOI INTERESIM
Ekspertët thonë se prioritet numër një i ndërtimit të rrugëve të reja në Maqedoni, duhet të jetë autostrada Shkup- Bllacë, për shkak të lidhjes së shpejtë të Maqedonisë me Rrugën e Kombit, numrit të madh të veturave që përshkojnë këtë aks rrugor, raportit dhjetë me një në favor të Maqedonisë në aspekt të eksportit me Kosovë etj.
Sipas profesorit universitar, Vullnet Paloshi, sot, në vitin 2017, kur Kosova na sjellë deri te dera Autostradën “Arbën Xhaferi”, as që ka nevojë për fizibiliti studimin që shërben vetëm të tregojë arsyeshmërinë e ndërtimit të kësaj rruge.
“Në 15 vitet e kaluara, asnjë përbërje qeveritare, nuk ka qenë e interesuar që te ketë si prioritet ndërtimin e rrugës Shkup-Bllacë në nivel të autostradës. Në periudhën e kaluar, bile, sipas njohurive të mija, as nuk është përgatitur ndonjë fizibiliti studim që do të tregonte arsyeshmërinë e ndërtimit të saj. Megjithatë, duhet shtuar se në ditët e sotme, kur Kosova faktikisht e ndërtoi rrugën Prishtinë –Bllacë, edhe nuk ka nevojë për një projekt të tillë studimor, për shkak se s’ka vend të dëshmohet nevoja e ndërtimit të aksit rrugor Bllacë –Shkup në kushte kur jemi ndër shtete e rralla që kemi suficit në këmbimin tregtar me Kosovën, kur nga Kosova kemi një fluks të madh konsumatorësh, kur në drejtim të Kosovës eksportojmë disa qindra milionë euro dhe importojmë vetëm dhjetëra miliona euro, qytetarë të shumtë nga Kosova që mjekohen në spitalet private në Shkup, frekuentues të shumtë nga Kosova që harxhojnë shuma të mëdha në dyqanet e ndryshme dhe qendrat tregtare në Shkup, apo në kushte kur me ndërtimin e rrugës së mbetur në anën e Maqedonisë që lidh Shkupin dhe Prishtinën, do të kemi edhe një dalje të shpejtë në det përmes rrugës së Kombit“, thotë për KOHA, Palloshi.
Sipas tij, nuk është aspak e arsyeshme të lidhet rruga Bllacë-Shkup me Vizbegun, por vetëm nevojitet të lidhet me qarkoren e Shkupit, për të qenë një dalje e shpejtë për në Kumanovë, Greqi etj. Ai më tej shton se projekti i parë për ndërtimit e këtij aksi rrugor në formë të zgjidhjes ideore daton që nga viti 2000, që më pastaj është reviduar nga ekspertët e Bankës Botërore që ka dhënë vërejtjet lidhur me kthesat, rrugët e kështu me radhë.
Në ndërkohë, ish zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Skender Palloshi, thotë se ndërtimi i kësaj rruge duhet të jetë i pari në listën e ndërtimeve të akseve rrugore në Maqedoni.
“Në periudhën 2006 -2008 nuk ka pasur fizibiliti studim për ndërtimin e kësaj rruge, por vetëm është parashikuar që ajo të sanohet apo meremetohet Në atë kohë Kosova kishte telashe tjera për shkak bëhet fjalë për periudhën kur ajo formësohej si shtet dhe nuk ishte koha që të mendohej për ndërtimin e autostradave. Sot, nëse flasim në aspekt profesional, kemi një situatë tërësisht ndryshe ku parametrat për numrin e veturave flasin në favor të ndërtimit të saj, andaj ndërtimi i i autostradës moderne duhet të jetë prioritet numër një i ndërtimeve të rrugëve në Maqedoni dhe duhet të ndërtohet bile me të holla buxhetore, për shkak se bëhet fjalë vetëm për pak kilometra dhe jo për një distancë shumë të gjatë“, thotë ish zëvendësministri i Transporti dhe Lidhjeve për periudhën 2006-2008, Skender Palloshi.
ÇFARË KA PËRGATITUR KOMPANIA “GRANIT”?
Nga ana tjetër, inxhinieri i ndërtimit, Shefki Aliti, thotë se i gjithë dokumentacioni i nevojshëm për ndërtimin e kësaj rruge, është i gatshëm dhe vetëm nevojitet që të fillohet me ndërtimin e saj.
“Që prej vitit 2008, sipas njohurive të mia, ekziston projekti i zbatimit, të cilit i ka parapri fizibiliti studimi i rrugës Shkup-Bllacë të gjatë 12 kilometra, që e ka përgatitur kompania e njohur e ndërtimit “Granit”. Pra, i tërë projekti është i gatshëm, së bashku me trasenë dhe elementet e tjera të nevojshme dhe tani mbetet që vetëm të financohet dhe të fillohet me punët ndërtimore në këtë projekt kaq të rëndësishëm për Maqedoninë dhe qytetarët e saj“, thotë për KOHA, Shefki Aliti.
Në ndërkohë, para tre ditë, ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Pal Lekaj, vizitoi punimet të cilat janë duke vazhduar për ndërtimin e Autostradës “Arbën Xhaferi”. Ministri Lekaj tha se për projektin në fjalë prej 62 kilometra punimet po vazhdojnë dhe nuk ka asnjë vonesë në realizimin e projektit dhe sipas tij, segmenti i dytë deri në Doganj përfundon në dhjetor, ndërkaq segmenti i tretë deri në kufi në vitin 2018.
“Sa i përket Autostradës “Arbën Xhaferi” punimet janë duke shkuar sipas parashikimeve dhe janë në fazën që deri në Ferizaj ky segment i dytë të përfundojë këtë vit, në muajin dhjetor. Përafërsisht i tërë projekti i kësaj autostrade del të kushtojë rreth 700 milionë euro”, ka thënë Lekaj.
Ndërtimi i rrugës Bllacë –Shkup kërkohet vite me radhë nga komuniteti i biznesit të Kosovës dhe Maqedonisë . Para dy vitesh, edhe Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, në kuadër të kërkesave drejtuar Qeverisë, kërkoi që theks i veçantë të vendoset në realizimin e projekteve në infrastrukturën rrugore, në veçanti autostradës që lidh vendkalimin kufitar me Republikën e Kosovës dhe që vazhdon me Malin e Zi dhe shtetet tjera. Mungesa e lidhjeve të mira transportuese midis Maqedonisë dhe Kosovës, ndikojnë negativisht në shpejtësinë dhe cilësinë e transportit të mallrave ndërmjet dy shteteve, kjo pasi rruga e tanishme në drejtim të Kosovës, prej Stenkovecit deri në Bllacë, është rrugë me gjerësi prej shtatë metrash. Afaristët nga të dyja shteteve vazhdimisht kanë reaguar, se pas modernizimit të vendkalimit kufitar Bllacë në kufirin Maqedoni-Kosovë, tani mbetet të ndërtohet autostrada moderne që do të përshpejtojë transporti midis dy shteteve. Sipas tyre, lidhja më e mirë infrastrukturore do të ndikojë në mënyrë të dukshme në këmbimin tregtar midis dy shteteve, por edhe në rritjen e të dyja ekonomive.
Në të kaluarën, janë shqyrtuar disa modele për ndërtimin e saj, duke filluar prej marrjes së kredisë, ndërtimit me mjete buxhetore dhe dhënies me koncesion. Në vitin 2015, nga Ministria e Transportit të Maqedonisë, kishin paralajmëruar se do të shpallin sërish koncesion për ndërtimin e rrugës Shkup-Bllacë në gjatësi prej 13 kilometrash. Për dallim prej Maqedonisë, që nuk ka lëvizur aspak në ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, pala kosovare ka filluar që para tre vitesh ndërtimin e Autostradës “Arben Xhaferi”, ndërsa ndërtohet nga Kompania “Bechtel- Enka”. (koha.mk)