Pritet të shohim se në muajt në vijim a do të mund të lëvizim lirshëm në autostradën e re Kërçovë-Ohër. Në të kundërtën do të vazhdojmë të thirremi në sfondin pasur të legjendave, kur ndërtimet e urave e ngrehinave të ndryshme lidheshin me parashikime misterioze të orakujve, siç ishte rasti me Kështjellën e Rozafës, apo me Urën e Shejtë.Nuk besojmë se edhe fati i autostradës është i lidhur me profesicët e këtyre legjendave
Nga Fisnik PASHOLLI
Autostrada Kërçovë-Ohër pritet ti nënshtrohet projektimit të serishëm apo projekti i ndërtimit të këtij aksi rrugor do të përmirësojë gabimet paraprake ku për shembull rruga duhet të kalojë në afërsi të madhe mbi gypat që furnizojnë Kërçovën me ujë. Instituti Ndërtimor i Maqedonisë, sipas marrëveshjes së nënshkruar parasheh që pas 12 muajve të përfundojë i tërë dokumentacioni projektues. Ndër pjesët e autostradës që do të projektohet sërish janë edhe stabilizimi dhe sanimi i shpatijeve gjatë tërë rrugës, ndërtimi i nyjeve të reja në hyrje të qytetit të Ohrit si dhe në Trebenishtë, gjithashtu në afërsi të Ohrit, si dhe rinevilizimi i rrugës, dokumentacioni projektues për rrugët e hyrjes daljes në autostradë në fshatrat që gravitojnë përreth saj.
Ndërtimi i autostradës pritet të vazhdojë në pjesët që nuk do të kenë ndryshime të projektit së bashku me përfundimin dhe ndryshimin e projektit aty ku ka nevojë. Një ‘arterie rrugore’ kaq e nevojshme për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë perëndimore, për zhvillimin e turizmit në Strugë dhe Ohër, për zbutjen e ikjes së madhe të të rinjve, si duket sërish do të vonohet në përfundimin e saj, përkundër premtimeve të pushtetarëve se ajo do të përfundojë në vitin 2021.
Ndërtimi i saj filloi në shkurt të vitit 2014 dhe pritej të përfundojë në vitin 2018, apo pas katër vitesh për çka u parashikuan afër 400 milion euro, ndërsa më vonë kjo shumë u rrit në 600 milion euro për shkak të lëshimeve në projektimin e saj. Ndërkohë për keqpërdorimet në ndërtimin e saj ishte ngritur edhe lënda “Trajektoria”, për më shumë ish zyrtarë shtetëror. Pra, në vend që deri tani të lëviznim në një autostradë moderne, është vështirë e pritshme të ndodhë shpejt kjo, duke marrë parasysh edhe vonesat e deritanishme në ndërtimin e autostradës Shkup-Shtip, si dhe të aksit rrugor Demir Kapi-Smokvicë, aksit rrugor Kumanovë-Tabanoc, ndërtimit të ngadalshëm të rrugës Shkup-Bllacë, si dhe vonesave në projektimin dhe ndërtimin e më shumë rrugëve të tjera në shtet, por edhe vonesave në ndërtimin e hekurudhës në drejtim të Bullgarisë.
Shumë kush që aktualisht udhëton në drejtim të Ohrit apo Strugës, do të mund të dëgjojë rrëfime dëshpëruese nga pushuesit e rastit në Strazhë para Kërçovës, apo në vendndalimet tjera, me ç’rast në thumb të kritikës vëhen përgjegjësit që duhet ta përfundojnë ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër. Bile ka edhe vozitës më të vjetër që thonë se para fillimit të ndërtimit të kësaj autostrade, udhëtimi ishte më i rehatshëm sidomos në pjesën para Ohrit ku është shkaktuar një labirint i vërtetë nga sinjalistika e komunikacionit apo edhe udhëtimit me veturë herë në anën e majtë dhe herë në anën e djathtë, herë me asfalt të ri e herë në asfalt të vjetër.
Pritet të shohim se në muajt në vijim a do të mund të lëvizim lirshëm së paku në pjesën e autostradës 20 km para Ohrit. Mbase kjo do të mund të bëhej me një angazhim më të madh, pse jo dhe me punë të pandërprerë në disa turne, në mënyrë që të paktën në pranverë ta kemi gati këtë autostradë.
Në të kundërtën do të vazhdojmë të thirremi në sfondin pasur të legjendave kur ndërtimet e urave e ngrehinave të ndryshme lidheshin me parashikime misterioze të orakujve, siç ishte rasti me Kështjellën e Rozafës, apo me Urën e Shejtë.
Nuk besojmë se edhe fati i autostradës është i lidhur me profecitë e këtyre legjendave. (koha.mk)