Stokholm, 30 korrik – Autoritetet suedeze sot bënë thirrje të punohet nga shtëpia të paktën deri për Vitin e Ri, duke pasur parasysh se në këtë vend janë regjistruar më shumë se 80.000 persona të infektuar me koronavirusin e ri.
Masa ka për qëllim ta ulë numrin e njerëzve në transportin publik, sepse autoritetet kanë vërejtur rritje të numrit të kontakteve mes njerëzve, që paraqet rrezik të madh nga përhapja e mëtutjeshme e koronavirusit gjashtë vjeshtës.
Nga fillimi i epidemisë janë regjistruar mbi 80.100 njerëz të infektuar në Suedi, nga të cilët 318 në 24 orët e fundit. Në këtë vend kanë vdekur 5.739 njerëz nga Kovid-19.
Për dallim nga vendet e tjera evropiane, Suedia nuk vendosi karantinë mbi popullatën e saj, duke nxitur diskutime mbi efektivitetin e strategjisë së qeverisë në luftimin e koronavirusit.
Autoritetet besojnë se masat afatshkurtra mund të mos jenë efektive për periudha të gjata. Në Suedi, maskat mbahen vetëm nga stafi mjekësor, ndërsa kafenetë, baret dhe restorantet janë të hapura.