Evis HALILI
Shkup, 25 janar – Repertori i teatrove shqiptare për këtë vit nuk numëron shumë shfaqje që do të ngjiten në skenat shqiptare, shkruan gazeta KOHA. Nëse vitet e kaluara numri i vogël i shfaqjeve është justifikuar me mungesën e hapësirave, edhe këtë vit maksimumi i pjesëve që do të luhen në secilin nga dy teatrot, në atë të Shkupit dhe të Tetovës nuk është më shumë se tre të tilla. Këto dy teatro do të vënë një numër të njëjtë shfaqjesh po aq sa edhe Teatri i Fëmijëve dhe të Rinjve në Shkup, Teatri Turk dhe më pak sesa teatrot e tjera, si ai i Manastirit, i Komedisë, e kështu me radhë. Ndërsa në Teatrin e Kumanovës gjithsej dy pjesë teatrale. Nga ana tjetër institucioni me numrin më të madh të shfaqjeve për këtë vit vazhdon të jetë Teatri Nacional Maqedonas, në skenën e të cilit do të ngjiten shtatë shfaqje dhe po ashtu realizohet një prej festivaleve më të mëdha të teatrit. Në Teatrin e Dramës po ashtu numri i premierave është pesë, ashtu si edhe ne Teatrin e Manastirit, ku si ngjarje më të rëndësishme janë edhe festivalet teatrore të qytetit. Ajo që është karakteristike për të gjitha projektet e institucioneve nacionale, e të tjera janë autorët e pjesëve teatrale, të cilët me përjashtime të rralla janë kryesisht të huaj. Tom Marfi, Ferenc Molnar, Emil Bonev, Karlo Kolodi, Dejv Friman, Damir Karakas, e të tjerë, mes tyre edhe Gjergj Fishta. Vënia në skenë e autorëve të huaj, në të shumtën e rasteve shpjegohet si zgjidhja më e zgjuar për reduktimin e shpenzimeve për të paguar honoraret e autorëve bashkëkohorë.
Në Teatrin Shqiptar të Shkupit do të realizohen tre shfaqje, në Teatrin e Tetovës numri i premierave do të jetë gjithsej pesë, por vetëm tre prej tyre janë në gjuhën shqipe dhe realizohen nga trupa e aktorëve shqiptarë, ndërsa dy të tjerat janë të seksionit të Dramës maqedonase. Sa i takon festivaleve dhe manifestimeve të tjera teatrore, renditen festivali ndërkombëtar i teatrove “Skupi Fest”, Festivali ndërkombëtar i teatrove i Tetovës, Festivali ndërkombëtar në Dibër “Teatri Shqiptar në Maqedoni”, Festivali ndërkombëtar i teatrit “Ditët e Komedisë” në Kumanovë, këtë vit do të organizohet për herë të dytë. Këto festivale renditen mes mbi 30 manifestimeve të ngjashme që zhvillohen në të gjithë vendin, si pjesë e teatrove, por edhe kategorinë e manifestimeve teatrore dhe festivaleve. Sa i takon qendrave të kulturës, ato në Gostivar e Dibër, numërojnë jo më shumë se dy projekte, një në shqip dhe një në maqedonisht, ndërsa në qendrat e tjera të kulturës si Strugë, Ohër, apo edhe Kërçovë nuk ka asnjë shfaqje në gjuhën shqipe. Janë produksionet e pavarura dhe alternative, shoqatat kulturore të cilat kompensojnë mungesat me festivale, pjesë teatrore dhe mjuzikëll. Në Strugë gjatë këtij viti po ashtu vijon festivali i teatrit “K’tu fest”, si edhe produksionet e pavarura do të vënë në skenë pjesë të ndryshme teatrale, në Ohër, Kërçovë, Dibër, Tetovë e Shkup.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.