Autorët e huaj, më të lexuarit në Kosovë – Kadareja më i preferuari ndër shqiptarë

Mathias Enard, Meik Wiking dhe Paulo Coelho ishin tre autorët e huaj më të lexuar nga kosovarët gjatë vitit 2018, me veprat “Busull”, “Hygge” dhe “Alkimisti”. Ndërsa nga autorët shqiptarë më i kërkuari vazhdon të jetë Ismail Kadare, me veprën “Kur sunduesit grinden”.

Kjo në bazë të kërkesave që kishin nga lexuesit e tyre libraritë “Buzuku”, “Dukagjini” dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani”.

Ndërkaq jo pak vëmendje morën titujt e rinj, të cilët shumë shpejt gjenden në raftet e librarive në vend, pasi që kërkesa për ta mbetet e madhe.

Në mesin e librave më të kërkuar ishin edhe ata në gjuhën angleze. Derisa lexuesit më të interesuar për librin del të jenë ata të moshës mesatare 25-40 vjet, por pa anashkaluar edhe interesimin e grupmoshave të tjera.

Besian Zeneli nga libraria “Buzuku”, thotë se viti që lamë pas ka pasur prurje të mëdha të titujve. Teksa thotë se është pozitive se si nga viti në vit po rriten kërkesat e qytetarëve për literaturën për fëmijë.

“Mathias Enard me tre romanet e tij, ‘Busull’, ‘Zonë’, dhe ‘Qitje e përsosur’, kanë qenë tre romanet më të kërkuar i përket letërsisë. Për të vazhduar më pastaj me ‘Inteligjenca emocionale’ që ka qenë një titull jashtëzakonisht interesant… Nëse vazhdojmë me autorin shqiptar që ka qenë më i kërkuari, padyshim që është Kadare dhe Albatros Rexhaj. Kadare me romanin e fundit ‘Kur sunduesit grindeshin’, po ashtu edhe Albatros Rexhaj me romanin ‘Kthimi’”, tha ai, raporton Kosovapress.

Kurse Iliriana Hasaj nga libraria “Dukagjini”, ka thënë për KosovaPress, se është e vështirë të bëhet një renditje e librave më të kërkuar, pasi që kërkesat e lexuesve kosovarë për librin çdoherë e më shumë po rriten.

Sipas saj, kjo ka bërë që edhe librat në gjuhën angleze, konkretisht titujt e vonshëm, depërtojnë menjëherë tek lexuesit e apasionuar në vend.

“Në gjuhën shqipe e kisha veçuar, ka qenë libri ‘Hygge’, me këshilla se si danezët e bëjnë një jetë më të mirë. Ka qenë libri nga Hetem Ramadani ‘Shëndeti dhe suksesi përmes meditimit’. Tash së voni, edhe pse është botuar tash vonë, jashtëzakonisht shumë ka pasur kërkesë dhe është shitë libri ‘Presidenti është zhdukur’, nga presidenti Bill Clinton dhe James Patterson. Ky ishte romani i parë i Bill Clinton-it, sepse ai më parë kishte shkruar biografi dhe është shumë interesant dhe duhet me e cekë që tash vetëm sa është botuar libri ‘Becoming’ nga Michelle Obama, biografia e saj ka qenë e jashtëzakonshme”, tregoi ajo.

Ajo tregon edhe për kërkesat konstante të lexuesve në vend, që nuk i lënë asnjëherë në hije disa autorë dhe vepra, pavarësisht titujve të ri. E ndër më të preferuarit siç thotë ajo, mbeten librat klasik.

Ndërsa sa i përket autorëve shqiptarë, Hasaj thotë se Kadare mbetet i pavdekshëm, me ç’rast rrëfen se si vetëm brenda dy ditëve janë shitur të gjithë ekzemplarët e librit të tij të fundit “Kur sunduesit grinden”.

“Ato që ndoshta nuk vdesin kurë, përveç librave klasik, kisha me veçu autorin e njohur bashkëkohor japonez Haruki Murakami , librat e të cilit tek ne, sidomos tek të rinjtë, po lexohen shumë. Vepra e tij më e shitur vazhdimisht, vit pas viti është ‘Pylli norvegjez’ si dhe ‘Kafka në breg’. Të njëjtit autor, sapo i është përkthyer edhe një libër në gjuhën shqipe. Gjithashtu, nga Rhonda Byrne është ‘Sekreti’, një libër i cili na flet për fuqinë e mendimeve tona se si çdo gjë që mendojmë edhe besojmë se do të bëhet, ato realizohen. ‘Sekretit’ vitin e kaluar i është shtuar ‘Fuqia’ dhe ‘Magjia’”, u shpreh ajo.

E drejtori i bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, Munish Hyseni thotë se gjatë vitit që e lamë pas, mbi 100 mijë libra janë tërhequr për lexim nga anëtarët e bibliotekës.

Në një prononcim për KosovaPress, ai thotë se në biblioteka ndër librat më të kërkuar mbeten lekturat shkollore, ndërsa jashtë kësaj, tregon se cilat ishin romanet tjera më të preferuara.

“Tek pjesa e fëmijëve dhe të rinjve, librat më të lexuara janë të Williamsit, është një komplet prej disa vëllimesh. Ndërsa tek të rriturit, po ashtu prinë letërsia e të huajve, apo letërsia botërore siç e quajmë ne, që është Coelho njëri prej më të lexuarve, Dan Brown, dhe ajo që vazhdon me vite të tëra, është Daniel Steel dhe Nicola Sparks. Nga letërsia shqipe, edhe më tutje Ismail Kadare është më i kërkuari. Por, është një diçka që po ndodhë këto dy vitet e fundit, në mënyrë të veçantë me një autore, një mjeke, specialiste, Brunilda Zllami. Është një prej autoreve që këto dy vite kërkohet shumë në përgjithësi”, tha ai.

Krahas kësaj, Hyseni tregon se janë edhe librat e vjetër që vazhdojnë të zgjojnë interesim tek lexuesit kosovarë. E ndër ta thotë se më i kërkuari mbetet Shekspiri.

E se cilët ishin librat që zgjuan kureshtjen e lexuesve për vitin 2018 tregojnë edhe preferencat e lexuesve të bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë.

Kështu, Fjolla Krasniqi, e cila lexon me ëndje literaturën botërore, tregon se nuk i lë anash as autorët shqiptarë.

E pasionuar pas librit, ajo nuk e ka vështirë të tregojë disa nga librat që i lanë më shumë përshtypje në vitin që e lamë pas.

“Fillimisht, po e përmendi ‘Martin Eden’ që është e Jack London-it, më ka lënë shumë përshtypje. Por, ka edhe libra të tjerë, për shembull Dan Brown që është ‘Diabolus’ dhe librat tjerë që i ka, për shembull ‘Kodi i Da Vinçit’. Mandej, edhe të Ismail Kadaresë si ‘Prilli i thyer’ e kështu me radhë. Po më shumë preferoj letërsinë botërore”, tha ajo.

Ndërsa studentin Krenar Tërstena, dinamika e mësimeve e mbanë më afër me literaturën shkencore, pasi që vijon Fakultetin e Veterinarisë.

Por, në kohën e lirë, kryesisht pas afatit të provimeve, ai thotë se relaksohet duke lexuar romane.

“Fantazi, mister, për vete i pëlqej më shumë këto dy lloje të romaneve… Ndër librat e preferuar që i kam lexuar janë të autorit Dan Brown, titulli i librit është ‘Kodi i Da Vinçit’”, tregoi ai.