Deklarata Politike e PDP-së nxiti qarqet e atëhershme shoviniste maqedonase, të involvuar brenda të ashtuquajturës “qeveri të ekspertëve” (në të cilën pa dëshirën dhe vullnetin e shqiptarëve, merrnin pjesë edhe tre shqiptarë), të ndërmarrin masa ndëshkuese kundër popullsisë shqiptare në përgjithësi, e të aktivistëve të kësaj partie në veçanti. Ministria për Informim përmes një komunikatë të lëshuar më 27 qershor, Deklaratën e PDP-së, e kualifikoi si një “pamflet” që çon, siç thuhet “kah destabilizimi i Republikës, kah cenimi i marrëdhënieve ndërnacionale…”
Nga Qerim LITA
Rënia e regjimit komunist, te shqiptarët, ngjashëm sikurse edhe te një pjesë e popujve të ish federatës komuniste jugosllave: kroatët, sllovenët dhe boshnjakët u përjetua si një “çlirim kombëtar”. Në zgjedhjet e para të cilat në RS të Maqedonisë u mbajtën gjatë muajve nëntor-dhjetor 1990, shqiptarët, të cilët përbënin 1/3 e popullsisë u rreshtuan në dy partitë e atëhershme politike: Partia për Prosperitet Demokratik – PPD dhe Partia Demokratike Popullore – PDP, të cilat arritën të fitojnë 23 ulëse në parlament (17 PPD-ë, 1 PDP dhe 5 koalicioni PPD-PDP). Me konstituimin e Parlamentit të parë pluralist e më pas edhe me formimin e të ashtuquajturës qeveri të “ekspertëve”, çështjet jo që nuk ndryshuan në të mirë të shqiptarëve (të cilët thuajse për 10 vite me radhë (1981-1991) qenë skajshmërisht të diskriminuar si në pikëpamjen nacionale, ku me Amendamentin Kushtetues 56 të vitit 1989 u shpallën pakicë nacionale, po ashtu edhe në atë arsimore, kulturore, ekonomike etj.), por të njëjtat morën një kahje skajshmërisht antishqiptare, të cilat nxiteshin e mbështeteshin nga drejtuesit e atëhershëm politik e ekzekutiv maqedonas. Në këto rrethana, gjatë pranverës së vitit 1991, në disa vendbanime shqiptare u organizuan tubime, në të cilat u shtruan një sërë kërkesash, drejtuar Kuvendit të RS të Maqedonisë si dhe qeverisë së saj, disa prej të cilave po i paraqesim në vazhdim:
– sa më parë të hapen shkollat e arsimimit të mesëm duke filluar nga viti i ardhshëm shkollor 1991/92, të cilat shkolla qenë mbyllur para disa viteve nga mbeturinat e njëmendësisë e burokratike të sistemin monist, të cilët edhe sot e kësaj dite janë në pushtet;
– hapja e fakulteteve me mësim në gjuhën shqipe në dy universitetet ekzistuese në RS të Maqedonisë;
– të merret në përgjegjësi Savo Klimovskit nga fakti se ka kryer shkelje flagrante ndaj arsimit shqiptar, si ideolog i mbylljes së shkollave shqipe të garantuara me ligjet dhe Kushtetutën në fuqi të RSFJ-së;
– të lirohen të gjithë të burgosurit për shkak delikteve politike, të dënuar e të cilët dënimin e vuajnë si bastion e të burgosurve në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi.
– RS e Maqedonisë të jetë shtet sovran i të gjitha kombeve të cilët jetojnë në të e njëherit edhe i kombit shqiptar si sovran i atij shteti.
– në ata komuna ku jetojnë shqiptarët, gjuha shqipe të trajtohet në mënyrë të barabartë sikurse edhe gjuha maqedonase përkatësisht në këtë komuna të dy gjuhët të përdoren si shtetërore pa majorizimin e njërës apo tjetrës.
– RTV i Shkupit, përkatësisht Televizioni i Maqedonisë një kanal të programit ta ketë në gjuhën shqipe;
– në Kuvendin e RS të Maqedonisë për çështje me rëndësi siç janë: të drejtat e kombeve (arsimi, kultura, simbolet, flamuri, gjuha, toponimet, emërtimi i fëmijëve të porsalindur sipas dëshirës së prindërve të tyre etj.) të zgjidhet me konsensus e jo me mbivotim e majorizim në të kundërtën nuk do të pranojmë asnjë akt të cilin do ta sjell Kuvendi… etj..
Kërkesat e shtruara në mënyrë publike nga shqiptarët, jo që nuk u përfillën, por madje udhëheqja politike e Maqedonisë, gjatë asaj periudhe kohore bëri përpjekje maksimale, të maqedonizohen të gjitha institucionet e atëhershme shtetërore, veçmas ato informative e kulturore si për shembull RTV i Shkupit u emërtua në RTV maqedonase, Filarmonia e Maqedonisë në Filarmonia maqedonase, Opera dhe Baleti i Maqedonisë në Opera dhe Baleti maqedonas etj.. Madje disa udhëheqës të lartë të atëhershëm shtetëror të RSM-së, shkuan deri atje saqë për shqiptarët, shpikën termin tepër ofendues “maqedonas me prejardhje shqiptare”.
Se në cilat përmasa kishte shkuar shovinzmi maqedonas asaj kohe, më së miri mund ta shohim në dokumentin me titull: “Libri i Peticionit”, i hartuar më 26 shkurt të vitit 1991 nga pesë bashkësitë lokale të fshatrave të komunës së Gostivarit: Gallatë, Zuboc, Pozharan, Tumçevisht dhe Vrapçisht. Ashtu siç u tha më lartë, gjithçka konsiderohej si maqedonase, duke filluar nga toka, uji, ajri, qielli, dielli hënë, yjet etj, që “rrezikohen” nga siç thuhej “përvetësimi i popullit jomaqedonas”, përkatësisht nga “pakica shqiptare”, që sipas tyre përbën rastin e vetëm në botë të kenë dy vende të tyre amë. Në pjesën e dytë të të ashtuquajturit “Libri i peticionit”, në pika të shkurta përshkruhet “arsyeshmëria” përkatësisht “qëllimi” i hartimit të atij dokumenti, ku siç do të shohim në vazhdim, në stilin alla-millosheviçjane, do të kërkohet marrja e masave të rrepta si nga ana e maqedonasve po ashtu edhe nga vet shteti, për siç thuhej ndërprerjen e politikës “agresive” të shqiptarëve, që në kohë të fundit “po manifestohet gjithnjë e më shpesh në republikë”. Këto masa, sipas tyre duhej të ndaheshin në dy pjesë: urgjente dhe afatgjate, përkatësisht, sistematike. Si masa urgjente parashikoheshin moskonstituimi i kuvendeve komunale në pjesën perëndimore të Maqedonisë, për shkak dominimit të deputetëve shqiptarë, përkatësisht të dy partive të atëhershme shqiptare PPD-ë dhe PDP-ë, deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare dhe e dyta, shqiptarëve të mos u jepet “as çfarë funksioni” përkatësisht “resori” në pushtetin ekzekutiv republikan. Ndërkohë, të vazhdohej me masa tjera, sistematike, afatgjate, përmes së cilave shqiptarët me Kushtetutë të shpalleshin “pakicë nacionale”, të pezullohej veprimtaria politike e Partisë për Prosperitet Demokratik dhe Partisë Demokratike Popullore, të mos lejohej përdorimi i flamurit shqiptar, të dëboheshin nga vatrat e tyre, të gjithë ata shqiptarë, të cilët na paskan “zbritur nga qielli” me qëllim të “uzurpimit” të “hapësirës nacionale e territoriale maqedonase”, si dhe të gjithë ata, veprimtaria e të cilëve na qenka “nacionaliste” dhe “problematike”. Përveç kësaj, ata kërkonin që Qeveria e RSM-së, të parasheh arritjen e një marrëveshje me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, për shpërnguljen e shqiptarëve nga këto troje për në shtetin shqiptar “ngjashëm si ajo e viteve pesëdhjeta”, që Tito e arriti me diplomatin e atëhershëm turk Fuat Kypryli, me ç’rast brenda gjashtë viteve qenë dëbuar me dhunë rreth 150.000 shqiptarë. Për këta albanofob e shovinist të tërbuar maqedonas, të gjitha ato masa, kishin karakter “mbrojtës” dhe të njëjtat ishin të “domosdoshme”, të “pa shmangura”, “urgjente”, dhe të “arsyeshme” historikisht, për arsye siç thuhej në pjesën e fundit të dokumentit “këta mysafir të pa ftuar nga bota islame”, nuk kanë “dëshmuar dhe nuk do të dëshmojnë asnjëherë për një jetesë të përbashkët me krishterët”.
Në rrethana, kur të drejtat e shqiptarëve sa vinin e ngushtoheshin, njëra ndër dy partitë e atëhershme shqiptare, Partia Demokratike Popullore (PDP-ë), doli me një deklaratë politike e cila më 19 qershor të vitit 1991, u botua në gazetën “Nova Makedonija”. Në pikën dy (2) të saj thuhej:
“PDP është përcaktuar që popullsisë shqiptare në Jugosllavi t’i pranohet statusi i kombit (janë mbi 3 milion) edhe atë si shprehje e lirisë dhe të drejtës për përcaktim të lirë nacional, për vetëvendosje dhe me të drejtë të shkëputjes nga robëria totalitare e asimiluese pan-sllaviste”.
Një qëndrim i tillë i PDP-së, thuhej në vazhdim të deklaratës, vjen si rrjedhojë e refuzimit të kërkesave të parreshtura të shqiptarëve nga udhëheqja e atëhershme maqedonase, e cila “në vend të progresit e zgjodhi regresin”, dhe si rrjedhoj janë bërë dhe po bëhen shumë reduktime e ndalime për shkollim në gjuhën shqipe, “janë miratuar ligje diskriminuese në fushën e shkollimit, u mbyllën shumë shkolla të mesme në gjuhën shqipe, na urdhëruan të mësojmë në ‘paralelet e përziera’, administratën pedagogjike ta udhëheqim në gjuhë të huaj, sollën vendime për shkollim të mesëm të imponuar vetëm në gjuhën maqedonase, kërkesat gjithshqiptare për mësim në gjuhën shqipe injorohen nga ‘shteti demokratik’, pasiviteti shtetëror, që i përket shkollimit në gjuhën shqipe, paraqet një politikë aktive të denacionalizimit dhe asimilimit të kombit shqiptar…etj.”.
Deklarata Politike e PDP-së nxiti qarqet e atëhershme shoviniste maqedonase, të involvuar brenda të ashtuquajturës “qeveri të ekspertëve” (në të cilën pa dëshirën dhe vullnetin e shqiptarëve, merrnin pjesë edhe tre shqiptarë), të ndërmarrin masa ndëshkuese kundër popullsisë shqiptare në përgjithësi, e të aktivistëve të kësaj partie në veçanti. Ministria për Informim përmes një komunikatë të lëshuar më 27 qershor, Deklaratën e PDP-së, e kualifikoi si një “pamflet” që çon, siç thuhet “kah destabilizimi i Republikës, kah cenimi i marrëdhënieve ndërnacionale…”, krejt kjo “me qëllim të arritjes së funksionit të shkëputjes së pjesëve nga Maqedonia dhe krijimin e një fiksioni për Shqipëri të madhe”.
Ndërkohë, edhe Partia për Prosperitet Demokratik më datë 29 korrik 1991, Kuvendit të Republikës së Maqedonisë i dorëzoi “Deklaratën për statusin e barabartë të shqiptarëve në Maqedoni”. Sipas saj bartës të sovranitetit duhej të ishin të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, ndërsa gjuhë nacionale të shpalleshin maqedonishtja, shqipja dhe turqishtja. Më tej thuhej se Republika e Maqedonisë duhet të ndërtoj mekanizma kushtetuese përmes së cilave do të garantohet barazia nacionale, pranë së cilave për të gjitha çështjet të cilat u përkasin marrëdhënieve ndërnacionale duhet të vendoset me konsensus. Në pikën nëntë të deklaratës bëhej me dije se: “Shqiptarët në Republikën e Maqedonisë kanë të drejtë të vendosin për fatin e tyre dhe në këtë kontekst ta bartin pjesën e tyre të përgjegjësisë për fatin e Republikës”. Ngjashëm sikurse e para, edhe kjo Deklaratë u hodh poshtë nga Qeveria e RSM-së, me arsyetimin se “statusi i kolektiviteteve nacionale, pakicave nacionale dhe etnike dhe pjesëtarëve të kombeve tjera” do të definohet me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.
(vijon nesër)