Omer XHAFERI
Shkup, 10 nëntor – Pavarësia dhe liria nga presioni politik i Drejtorisë për mbrojtjen e të dhënave personale (DMDHP), paraqesin dy pikat kryesore në të cilët janë përqendruar Plotësim- ndryshimet e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, shkruan gazeta KOHA. Njëherit, këto ndryshime ligjore të iniciuara nga Ministria e Drejtësisë, bëhen në drejtim të harmonizimit me dispozitat e Ligjit të ri për procedurë të përgjithshme administrative.
”Qëllimi i këtyre ndryshimeve është përforcimi i statusit të pavarur të Drejtorisë nga politika dhe ndikimet tjera në pajtim me kërkesat e Nënkomitetit për drejtësie dhe siguri, si dhe raportin e grupit të ekspertëve të lartë për çështje e sundimit të ligjit që lidhen ngushtë me përcjelljen e komunikimeve të zbuluara në fillim të vitit 2015, respektivisht plotësimi i këtij ligji bëhet në bazë të raporteve të progresit të vitit 2015 dhe 2016 për Republikën e Maqedonisë”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Ashtu si shumë ndryshime tjera ligjore që janë prag të miratimit në Parlament, edhe ndryshimet e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale pritet të ndodhin gjatë muajit dhjetor. Reformat e paralajmëruara nga Qeveria, gjegjësisht kërkesat që burojnë nga Raporti i Pribes, e përfshinë edhe Drejtorinë për mbrojtjen e të dhënave personale, misioni i të cilës është realizimi i inspektimeve mbi ligjshmërinë e aksioneve gjatë kohës kur përpunohen të dhënat personale nga ndonjë institucion. Pjesë e direktivave, të cilat Bashkimi Evropian i kërkoi nga Qeveria e Maqedonisë, ishte autonomia e plotë e këtij trupi mbikëqyrës(DMDHP), me çka kërkesat që ky organ të këtë kompetenca për hetime, intervenime dhe përfshirje në procedurat juridike, siç mëson gazeta KOHA, janë paraprak në propozimin ligjin e ri. Ndryshe, në vërejtjet dhe rekomandimet, të cilat Pribe i theksoi në raportin e parë të tij, nënvizoi se mungesa e aktiviteteve sa i përket procesit të përcjelljes së jashtëligjshme të komunikimeve nga ana e Drejtorisë, e ka vënë nën hije besueshmërinë në pavarësinë e institucioni. Njëkohësisht, qasja e institucionit, sipas tyre, ka qenë jokonzistente me ligjin dhe misionin e drejtorisë, duke përfshirë edhe betimin e dhëna nga vetë drejtori. Nevoja për ndryshime në këtë pjesë të legjislacioni pasoi pas vizitës së grupit të ekspertëve nga Komisioni Evropian në qershor të vitit 2015-të. Përcjellja e paautorizuar e komunikimeve si dhe mos veprimi, apo procedimi i këtyre rasteve nga DMDHP, për ekipin e Rajhard Pribes ishte tejet shqetësuese. Ndërkohë, kërkesa për autonomi më të madhe të kësaj drejtorie, vijon pas arsyetimit të dhënë nga DMDHP, se ato nuk kanë mundur të reagojnë përderisa janë zhvilluar proceduarat penale. Në vazhdën e ngjarjeve që ndodhën më gjatë vitit 2015-të dhe më pas, kjo drejtori kishte vendosur të mbetet jo aktive, me të vetmin qëllim për të mos ku kritikuar se mban anën e ndonjë pale. (koha.mk)