Tetova është një nga qytetet më të dendura në vend, për sa i përket objekteve të banimit dhe lokaleve të ndryshme, ndërsa në shumë raste vetura e ndihmës së shpejtë apo e zjarrfikësve e ka shumë vështirë të depërtojë. Nga këto dy institucione të rëndësishme në Tetovë, apelojnë që në raste urgjente vozitësit të lëshojnë rrugën dhe të jenë më të ndërgjegjshëm
Urim HASIPI
Tetovë, 21 gusht – Si pasojë e komunikacionit të dendur me vetura dhe mos edukatës së vozitësve gjatë pjesëmarrjes në komunikacion, shpesh herë ndodh që vetura e ndihmës së shpejtë dhe njësisë së zjarrfikësve të vonohet në raste urgjente. Në shumë raste, drejtuesit e makinave nuk u japin përparësi kalimi këtyre veturave, të cilat edhe pse kanë të ndezura dritat e sinjalizuese dhe sirenën, se bëhet fjalë për rast urgjent ku duhet të intervenohet. Këtë e konfirmojnë në njësinë e Zjarrfikësve në Tetovë dhe në repartin e ndihmës së shpejtë, prej ku apelojnë që drejtuesit e makinave të jenë më të kujdesshëm, kur i vërejnë këto automjete në rrugë. “Ka shumë raste kur makinat tona vonohen në intervenim të shuarjes së zjarrit në rrugët e qytetit. Ka shumë vetura, dendësia e tyre në rrugë bën që automjetet tona të vonohen edhe me më shumë se 20 minuta në raste urgjente brenda në qytet. Duhet që vet drejtuesit e veturave të kenë një vetëdije më të lartë, kur janë pjesë e komunikacionit, sepse bëhet fjalë për raste urgjente dhe tragjike të cilat nuk presin”, thotë Uka Aliti, udhëheqës i njësisë së zjarrfikësve në Tetovë.
Por, ai shprehet se kohëve të fundit ka filluar që kjo situatë të përmirësohet. Sipas Alitit, ka një ngritje të vetëdijes tek qytetarët, dhe kur vërejnë automjetet e emergjencës, vozitësit tentojnë që të lirojnë rrugën.“Është një fakt që dua ta përmendi se kohëve të fundit ka një ngritje të vetëdijes tek qytetarët. Ata mundohen që të lirojnë rrugën, kur kemi të bëjmë me raste urgjente, dhe kur vërejnë se sirena është e ndezur, atëherë na lirojnë rrugën. Por, në qytet është më vështirë, ngase rrugët janë të ngushta, ka shumë automjete, prandaj edhe nëse vozitësi tenton që të jep përparësi e ka shumë vështirë”, thotë Aliti.
Po ashtu, përparësi kalimi nuk i jepet as veturës së ndihmës së shpejtë. Nga ky repart konfirmojnë se vetëdija në komunikacion është shumë e ulët në aspekt të dhënies së përparësisë së kalimit të veturës së tyre. “Ka plot raste urgjente kur vonesa mund të kushtojë edhe jetë njeriu. Fatkeqësisht, vetura e ndihmës së shpejtë nuk ka përparësi në rrugë, edhe pse sinjalizimi dhe sirena janë të ndezura. Duhet një vetëdije më e lartë tek vozitësit. Ne kemi parasysh se në këtë kohë ka shumë vetura në qarkullim, por edhe me rregullat e komunikacionit parashihet që këto vetura të kenë përparësi. Në rrugët e Tetovës, sidomos në brendi të qytetit, kemi një situatë kaotike sa i përket komunikacionit dhe vonesat janë të pashmangshme, kur i shtohet edhe mosdhënia e përparësisë”, thonë nga Reparti i Ndihmës së parë në Tetovë.
Tetova është një nga qytetet më të dendura në vend, për sa i përket objekteve të banimit dhe lokaleve të ndryshme, ndërsa në shumë raste vetura e ndihmës së shpejtë apo e zjarrfikësve e ka shumë vështirë të depërtojë. Nga këto dy institucione të rëndësishme në Tetovë, apelojnë që në raste urgjente vozitësit të lëshojnë rrugën dhe të jenë më të ndërgjegjshëm. (koha.mk)