Shkup, 13 nëntor – Autobusi i kompanisë “Durmo turs” ka pasur pajisje për manipulim me shpejtësi për 12-13 kilometra në orë dhe secili vozitës ka mundur ta përdorë kur ku dashur, theksoi një vozitës i punësuar në “Durmo turs” në seancën e sotme për fatkeqësinë e autobusit afër fshatit Llaskarcë, raporton KOHA.
Dëshmitari Filip Naumovski, tetë vite ka punaur në “Durmo turs” si vozitës, ndërsa sipas nevojës ka qenë edhe konduktor.
“Autobusin atë ditë e vozitëm unë, Xhemaili dhe Manueli. Turin e parë nga Gostivari drejt Shkupit dhe prapa në orën 7:00 mendoj se e ka vozitur Manueli. Më pas turin në orën 11:00 mendoj se e ka vozitur Xhemaili. Në atë periudhë Manueli ishte në pushim ditor, si pauzë”, deklaroi Naumovski.
Autobusin, sqaroi dëshmitari, e ka vozitur prej pikë-pagesës Gllumovë deri në Gostivar dhe nuk ka vërejtur asgjë të jashtëzakonshme.
“Në orën 14:30 drejt Shkupit voziti kolegu Manueli. Në autobus ishim edhe unë dhe Xhemaili. Gjatë vozitjes ai nuk u ankua për kurfarë probleme shëndetësore apo teknike”, deklaroi Naumovski.
Në orën 16:50 u nisëm me Manuelin nga Shkupi edhe unë zbrita në Gjorçe Petrov.
“Për fatkeqësinë më tregoi Xhemaili dhe unë shkova në vendin e ngjarjes. Kur arrita, e pashë Manuelin dhe e pyeta se çka ndodhi. Ai m’u përgjigj ‘nuk e di se çka ndodhi’”, tha Naumovski.
Paraprakisht, dëshmitari tha se autobusi, atë ditë, tërë ditën ka vozitur në një shirit takografik.
“Shiritët tahografikë rrinin në një kuti në autobus. Aty i linim të vjetrit dhe vendosnim të rinj. Të gjithë vozitnim në një shirit. E dinim se nuk duhej, por ashtu bënim. Atë ditë unë nuk e plotësova shiritin tahografik, nuk e di nëse dikush në garazhë”, deklaroi Naumovski.
Ai tha se as Durmish Beluli, as Remzi Miftari, derisa kanë punaur, nuk kërkuan kontrollimin e shiritëve takografikë.
Në autobus tha se ka pasur pajisje për manipulim, që ishte vendosur disa muaj pasi që ishte punësuar në “Durmo turs”.
“Besniku dhe unë shkuam së bashku në një ndërmarrje. Së pari me një autobus, më pas me një tjetër. Unë atëherë isha disa muaj i pranuar. Kjo ishte në një ndërmarrje në “Zhelezarë”. Besniku në ndërmarrje kërkoi të vendosej pullë për të treguar shpejtësi më të vogël për 12-13 kilometra”, deklaroi dëshmitari.
Sqaroi, se e ka ditur se të gjithë tre autobusët në atë relacion kanë pasur pajisje të tillë.
I pyetur nëse vetë si vozitës ka mundur të vendosë për ta hequr pajisjen, dëshmitari tha se ai sapo ishte punësuar dhe nuk ka mundur ta bëjë një gjë të tillë.
Dëshmitari sqaroi edhe se nëse keni problem me autobusin për atë i kanë treguar Remzi Miftarit, i cili ka treguar se cili autobus mund të vozitej në cilin relacion.
Procesin gjyqësor e udhëheqë gjykatësja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është prokurori publik, Darko Jakimovski.
Për fatkeqësinë e autobusit që ndodhi më 13 shkurt të këtij viti afër fshatit Llaskarcë, ku jetën e humbën 16 persona, ndërsa 37 ishin rëndë të lënduar janë akuzuar gjashtë persona.
Pronari i kompanisë “Durmo turs”, Durmish Beluli, përgjegjësi për transport në ndërmarrje Remzi Miftari dhe vozitësi i autobusit Manoel Trifunovski ngarkohen për vepra të rënda të kryera ndaj sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion, përderisa tre të punësuar në stacionin për kontroll teknik Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski për pjesëmarrje në veprën e njejtë. (koha.mk)