Ndërkohë që mbizotëron kaosi, akoma nuk ka asnjë afat se kur autobusët do të arrijnë në Tetovë dhe kur do të qarkullojnë në linjat e caktuara tashmë
Urim HASIPI
Tetovë, 22 tetor – Pasi Këshilli i Komunës së Tetovës ka miratuar vendimin për themelimin e ndërmarrjes për transport publik, akti i themelimit është dërguar në Regjistrin qendror. Por, krahas kësaj, nevojiten akoma dokumente që të merret vendimi nga Regjistri qendror. Bëhet fjalë për organet e ndërmarrjes, të cilët duhet që të miratohen në Këshillin e Komunës së Tetovë, shkruan gazeta KOHA. Krahas aktit të themelimit, nevojitet që në Këshill të miratohen edhe vendimi për Këshillin drejtues të ndërmarrjes dhe bordi mbikëqyrës për financimin e ndërmarrjes. Këtë e ka theksuar Fejsal Behadini, drejtor i ndërmarrjes për transport.
“Krahas vendimit të këshillit komunal për themelim të ndërmarrjes për Transport “Tetova Transport” kemi aplikuar deri në regjistrin qendror, meqë afati për regjistrim është 90 ditë. Po ashtu nevojiten edhe dokumente shtesë, krahas akteve për themelim në këshillin e Komunës së Tetovës, do të dërgohen edhe vendimet e seancës së ardhshme, në të cilën do të konsolidohen organet tjera të ndërmarrjes. Përveç emërimit të drejtorit, janë edhe këshilli drejtues i ndërmarrjes dhe këshilli për mbikëqyrje financiare. Kur të përfundohen këto akte në këshill, atëherë dokumentacioni është i plotë për regjistrim dhe do të marrim vendim për themelim të subjektit të ri, respektivisht ndërmarrjes për transport”, deklaroi drejtori Beadini.
Në ndërkohë, linjat në të cilët do të qarkullojnë autobusët urban, tashmë janë përcaktuar nga ana e këshillit. Sipas tij, autobusët do të fillojnë nga stacioni i autobusëve e deri tek rrethrrotullimi i UEJL-së. “Lokacionet e qëndrimeve të autobusëve në qytet do të jenë bulevardi Iliria para objektit të interprometit, në drejtim kah qendra, më pas do të jetë edhe stacioni para Qendrës për Kulturë. Stacion tjetër ndalimi do të jetë edhe stacioni para gjykatës së Tetovës dhe përpara Xhamisë së larme. Më pas, në këtë bulevard, stacion për udhëtarët do të ketë edhe tek udhëkryqi për në rrugën e Kodrës së Diellit, tek kompleksi Shipad, tek kthesa për në bulevardin Bllagoja Toska, tek udhëkryqi me bulevardin Bllagoja Toska dhe përpara Shkollës së Mesme të Bujqësisë”, theksoi Beadini.
Ndërkaq, paralajmërohet edhe hapja e tenderit për rregullimin e pikave të ndalesës. Për dallim nga qyteti, në rrugën Tetovë-Jazhincë, pothuajse në të gjitha fshatrat ka mini-stacione apo vende të mbuluara ku udhëtarët presin autobusin apo mjetet tjera të transportit, të cilët të paktën nuk duhet të qëndrojnë jashtë kur ka reshje atmosferike.
“Vendet adekuate për ndalim të automjeteve të transportit urban janë përcaktuar që në kohën kur janë përcaktuar vendet e parkimit. Ato vende një kohë të gjatë kanë qenë në një formë të uzurpuara, kurse tashmë janë të liruara dhe në ato vende mund të ndalojnë autobusët. Me funksionalizimin e ndërmarrjes për transport do të duhet që edhe kjo problematikë të zgjidhet në mënyrë adekuate”, tha Fejsal Behadini drejtor i ndërmarrjes për transport në Tetovë. (koha.mk)
Por nuk ka asnjë afat se kur autobusët do të arrijnë në Tetovë, dhe do të qarkullojnë në këto linja që të lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve në qytetin ku dekada me radhë mbizotëron kaosi.