Shkup, 25 janar – Qytetarët që shfrytëzojnë transportin publik çdo ditë kanë mundësi të binden se sa të pa pastër janë autobusët që qarkullojnë nëpër Shkup. Nga jashtë duket se në to është ngjitur i gjithë pluhuri i rrugëve të Shkupit, ndërsa në numrin më të madh të tyre vetë gjysma e xhamave janë të dukshëm nga papastërtia. Gjendja brenda nuk është aspak më e mirë.
Edhe pse më herët sa herë që përmendeshe higjiena e autobusëve gishti drejtohej tek autobusët privat, tani lirisht mund të thuhet se aspak më mirë s’është gjendja e NTQ – Shkup, shkruan KOHA.
Dy lavazhe për autobusët e NTQ
Ndërmarrja publike transportuese ka dy lavazhe në dy autobazat në Aerodrom dhe Gjorce Petrov. Në atë në Gjorce është vendosur pajisje për larjen e jashtme ndërsa larja realizohet në disa faza, përdoren pajisje për paralarje, larje dhe tharje të shpejtë të autobusit.
Nga NTQ nuk kanë përgjigje përse autobusët janë aq të pa pastër, sa shpesh i pastrojnë dhe kush është përgjegjës për pastrimin e tyre të rregullt.