Ministria e Brendshme austriake njoftoi sot se vendi kundërshton heqjen e kontrolleve në kufijtë e Bullgarisë, Kroacisë dhe Rumanisë, që janë anëtare të BE-së, njoftoi DPA duke i’u referuar gazetës Kurir.
Komisarja Evropiane për Punë të Brendshme, Ilva Johanson, këtë javë propozoi zyrtarisht që të tre vendet t’i bashkohen zonës evropiane Shengen pa viza, në të cilën nuk ka kontrolle kufitare.
“Tani, kur sistemi i kufijve të jashtëm nuk funksionon, nuk është koha e duhur për të votuar për zgjerimin e zonës së Shengenit”, deklaroi për gazetën Kurir ministri i Brendshëm austriak, Gerhard Karner, i cili vjen nga Partia Popullore Austriake konservatore.
Austria po përballet aktualisht me një numër në rritje refugjatësh, të cilët mbërrijnë përmes vendeve të tjera të BE-së në të ashtuquajturën “rruga ballkanike” për të hyrë në vend. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Austrisë, që nga fillimi i këtij viti në kufirin austriak kanë arritur mbi 90 mijë persona. Prej tyre, 75,000 nuk ishin regjistruar më parë në asnjë vend tjetër të BE-së.
Votimi për pranimin e tre vendeve në zonën e Shengenit është planifikuar për më 8 dhjetor. Vendimi duhet të merret unanimisht.
Në zonën e Shengenit, e cila bashkon 26 vende, nuk ka kryesisht kontrolle kufitare, gjë që i lejon njerëzit të udhëtojnë, punojnë dhe jetojnë në një vend tjetër pa viza apo leje.
Bullgaria, Rumania, Kroacia, Irlanda dhe Qiproja janë të vetmet vende të BE-së që nuk janë pjesë e zonës së Shengenit, ndërsa zona përfshin vende jashtë BE-së si Islanda, Norvegjia, Zvicra dhe Lihtenshtajni.