Austria dëshiron që Bashkimi Evropian t’i ndërpresë bisedimet me Turqinë për anëtarësimin e saj në bllok, për shkak arrestimeve masive, spastrimit dhe largimit nga puna të mijëra njerëzve pas puçit të dështuar. Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, ka thënë sot se BE-ja duhet patjetër që të paktën t’i ndërpresë negociatat për anëtarësim. “Është gabim të vazhdohet me negociata për anëtarësim, duke u bërë sikur asgjë negative s’ka ndodhur në Turqi në disa muajt e fundit,” ka thënë ai. Disa vendet të BE-së tani e mbështesin qëndrimin e Austrisë. Të enjten, liderët e BE-së do ta diskutojnë marrëveshjen e bllokut me Turqinë për t’i ndalur dhjetëra mijëra emigrantë nga mbërritja në Evropë. Por, presidenti turk, Tayyip Erdogan, ka kërcënuar se do t’i hapë kufijtë për emigrantë, pasi Parlamenti Evropian bëri thirrje muajin e kaluar për ndërprerjen e bisedimeve për anëtarësimin e Turqisë në BE.