Në Australi temperaturat shënojnë rekord prej 44 gradë Celsius, duke e bërë të premten një nga ditët më të nxehta prej dekadash. Për shkak të përdorimit të madh të ajrit të kondicionuar tre gjeneratorë të mëdhenj kanë dalë jashtë përdorimit.
Dhjetëra mijëra shtëpi dhe zyra në Melburn, qyteti i dytë më i madh në Australi, kanë mbetur pa energji elektrike dhe pa ajër të kondicionuar në ditën më të nxehtë prej dekadash; me temperatura që kanë arritur deri në 44 gradë.
Në Viktoria, me 5 milion banorë, është shpallur gjendja e jashtëzakonshme për ditën më të nxehtë që nga 7 shkurti i 2009-ës, kur termometri shënonte 46.4 gradë. Si pasojë e temperaturave të larta pati shumë zjarre që shkaktuan 173 viktima dhe dy mijë shtëpi të shkatërruara, transmeton abcnews.
Ndërkohë një seri zjarresh janë sinjalizuar në juglindje të Australisë, dhe autoritetet paralajmëruan banorët që të kenë kujdes pasi ka një rrezikshmëri të lartë për rënien e zjarreve. Ministrja australiane e energjisë u shpreh se tre gjeneratorë të mëdhenj kanë dalë jashtë përdorimit për shkak të përdorimit të madh të ajrit të kondicionuar.