Sidnei, 30 janar – Australia e mbështet politikën emigruese të presidentit amerikan Donald Tramp, deklaroi mbrëmë ministrja australiane e Punëve të Jashtme, Xhuli Bishop, duke e komentuar vendimin e Trampit që përkohësisht të ndërpritet hyrja në SHBA e shtetasve të shtatë vendeve myslimane, njofton TASS. Bishop, e cila është për vizitë pune në Los Anxhelos, deklaroi se ka pasur dy biseda telefonike me nënkryetarin e SHBA-së, Majk Pensi, me të cilin ka biseduar për bashkëpunim dypalësh. “Jam e bindur se qeveritë e dy vendeve do të vazhdojnë të tregojnë mbështetje të ndërsjellë në kryerjen e politikës së ashpër emigruese dhe mbrojtjes së kufijve”, theksoi ajo. Bishop shtoi se Qeveria e Australisë bashkëpunon në mënyrë aktive me Uashingtonin, me qëllim që të munden australianët ta kenë mundësinë për vizitë në SHBA, si dhe amerikanët në Australi.