Me anë të një deklarate, Administrata e Barnave Terapeutike në Australi ka njoftuar aprovimin e antiviralit Remdesivir si versionin e parë zyrtar për të trajtuar COVID-19.
“Remdesivir është opsioni më premtues për të reduktuar kohën e qëndrimit për pacientët që vuajnë nga një formë e rëndë infeksioni”, njoftoi TGA (Therapeutic Goods Administration) me anë të një deklarate të publikuar në web.
Në deklaratë thuhej gjithashtu, se medikamenti “ofron reduktim potencial të ngarkesës në sistemin e shëndetit në vend. Duke shkurtuar kohën e shërimit, pacientët do mund të dalin më herët nga spitali duke liruar shtretërit për ata që kanë më shumë nevojë.”
“Në një kohë që ky është një hap shumë i madh në luftën e Australisë kundër pandemisë, është e rëndësishme të theksohet se produkti ka treguar se nuk e shëron koronavirusin dhe po ashtu nuk u lehtëson gjendjen pacientëve me simptoma të lehta,” thuhet më tej në këtë komunikatë.
Australia është një nga rregullatorët e parë që autorizon përdorimin e Remdesivirit si trajtim për COVID-19 pas aprovimit të tij në BE, Japoni dhe Singapor.