Katër fëmijë dhe tre persona të rritur janë gjetur të vdekur në një shtëpi në afërsi të qytezës turistike Margaret River në shtetin e Australisë Perëndimore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një lajm të transmetuesit australian, raportohet se në një shtëpi në lagjen Osmington në qytezën turistike Margaret River, shtatë persona, prej të cilëve katër fëmijë dhe tre të rritur, kanë vdekur si pasojë e vetëvrasjes dhe vrasjes.
Chris Dawson, komisari i Policisë së Australisë Perëndimore, në një deklaratë për mediat në qytetin Perth bëri të ditur se trupat e pajetë të pesë personave janë gjetur brenda shtëpisë, kurse të dy prej tyre jashtë saj, duke shtuar se në vendin e ngjarjes janë gjetur dy armë zjarri.
“Çdo vdekje është tragjike, por vdekja e katër fëmijëve dhe tre të rriturve është tragjedi shumë e madhe”, theksoi ai.
Dawson tha se në këtë fazë nuk do të japë deklaratë rreth identitetit të të vdekurve dhe se në hetimin e rastit krahas policisë, janë përfshirë edhe ekspertë të Njësisë Gjyqësore të Krimeve dhe Vrasjeve.