Delvina KËRLUKU
Shkup, 19 prill – U përurua të mërkurën libri “Media dhe gjeopolitika e një konflikti etnik” nga autorja Aurora Ndrio Karameti. Në këtë libër ndërthuren problematikat e vendit, duke spikatur gjithë periudhën e historisë, e duke nënvizuar problemet e ndërlikuara të shoqërisë, keqkuptimet, mosmarrëveshjet, të gjitha këto si burim i konfliktit të para pesëmbëdhjetë viteve në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Ajo ndalet te realiteti i qenë dhe i ndërtuar në media. Në këtë libër, ku në thelb trajtohen konfliktet, autorja na jep hartën gjeografike dhe gjeopolitike, ndeshja ndërmjet synimeve të kundërta mes palëve pjesëmarrëse. Autorja jep mundësinë e lidhjes së historisë me politikën, me prejardhjen psikologjike, si procese psikik që lidhen me një veprimtari të caktuar, por ndryshe të shprehura në media lokale dhe ndërkombëtare. Karameti jep përgjigje mbi shumë çështje të ndërlikuar dhe të shoqëruar me keqkuptime.
Salajdin Saliu, recensent, tha se leximi i librit krijon imazh më të qartë për atë që ka ndodhur në këto hapësira në një periudhë të caktuar, që edhe sot e kësaj dite shoqërohet me keqkuptime të shumta. “Nëpërmjet diskursit adekuat shkencor, autorja analizon jo vetëm reflektimin mediatik të konfliktit të vitit 2001, por rend edhe pas shkaqeve që sollën deri te përplasja militare, e cila ndryshoi konfigurimin juridik të Maqedonisë. Konflikti në këto hapësira të ndodhura në një kohë të caktuar, bën që edhe sot të shoqërohemi me keqkuptime të shumta. Keqkuptimet rrezikojnë që të krijojnë plasaritje të reja në një shoqëri të brishtë dhe me plot antagonizma natyrash të ndryshme”, tha Saliu, i cili më tej shtoi se autorja është përqendruar dendur te raportimet e mediave ndërkombëtare për Maqedoninë, te përmbajtjet mediale e shtypit dhe agjencive të lajmeve, veçanërisht rreth rëndësisë që i kushtuan ngjarjeve të kësaj periudhe dhe pas saj.
“Pas leximit të librit krijojmë një tjetër imazh edhe mbi profesionalizmin gazetaresk ose mungesën e tij në kohë delikate, veçanërisht për sa i takon respektimit ose jo të etikës mediale. Sikundër e vëren autorja, në jo pak raste, mediat lokale u mbizotëruan nga diskurset që nuk i duron profesionalizmi; në humbjen e baraspeshës përgjatë informimit; në mos dëgjimin e palës tjetër, por edhe shfaqja e tendencave për të penguar dëgjimin e palës tjetër, nëpërmjet censurës shtetërore”, potencoi Saladin Saliu.
Ymer Ismaili u fokusua në pjesën ku autorja flet më shumë për kontekstet historike të krijimit të kombit dhe shtetit maqedonas, informacione të argumentuara, duke u bazuar si burim informacioni nga autor të ndryshëm ndërkombëtar dhe kjo edhe i jep librit një tablo shumë interesante për studiuesit. “Pjesa historike vazhdon edhe sot, çështja e krijimit të identitetit të ri, të kombit maqedonas, i cili vazhdon të jetë i kontestuar, pjesërisht edhe nga vetë ata. Kjo është pjesa e parë historike e librit, pjesa e dytë ishte pjesa që kishte të bëjë me interpretimin e raportimit, pasqyrimin e ngjarjeve, të konfliktit të luftës 2001, në media ndërkombëtare. Aty bëhet fjalë për dy mega mediume informative botërore, Reuters dhe AFP. Këto dy agjenci lajmesh objektive, në bazë të analizës shihet shumë qartë se këto mediume që objektivisht vlerësohen si raportuesit më të vërtet, në raportimin e ngjarjeve të 2001 megjithatë janë subjektive. Unë dola me tezën e Umbero Ecos që edhe realiteti më objektiv, në fund ka një përfundim që perceptohet, transformohet, analizohet në mënyrë subjektive. Reuters në ngjarjet e konfliktit paraqitet objektiv, ndërsa AFP-ja nuk e ka këtë, sepse raportuesi i kësaj media është maqedonas, ndërsa te Reuters shqiptar”, tha profesor Ismaili.
Sipas recensentëve ky libër është i vlefshëm edhe për studiuesit e studentët, që si objekt studimi e kanë rolin e mediave në kohë krize, konflikti apo lufte, por edhe rolin e shtypit në shoqëri shumetnike, shumëgjuhësore, shumëkulturore, shumëreligjioze, sikundër është Maqedonia. Aurora Ndrio Karameti ka doktoruar në shkencat e informacionit dhe komunikimit në Universiteti Sorbonne Nouvelle Paris 3 në Francë (2005 – 2011) dhe është docente në fushën e medias. Ish- bursiste e Qeverisë së Francës dhe Qeverisë amerikane. Aktualisht është pedagoge në Katedrën e gazetarisë pranë Fakultetit Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës. (koha.mk)