Në natën e tretë të festivalit ndodhi e papritura, kënga e Aurelit u s’kualifikua dhe nuk arriti të shkojë në finale. Me gjithë vlerësimet e publikut, të blogerit të Eurovizionit e komente pa fund në kanalin youtube, “Të dua ty” u s’kualifikua
Bisedoi: Blerand REXHEPI
Aurel Thëllimi është nga ata këngëtarë që mund të quhet vlerë në muzikën shqiptare. Në festivalin e fundvitit në RTSH, në Shqipëri ai u prezantua me një këngë shumë të bukur, këngë që u pëlqye dhe u këndua nga publiku, madje ishte edhe pretendente për çmim. Në natën e tretë të festivalit ndodhi e papritura, kënga e Aurelit u s’kualifikua dhe nuk arriti të shkojë në finale. Me gjithë vlerësimet e publikut, të blogerit të Eurovizionit e komente pa fund në kanalin youtube, “Të dua ty” u s’kualifikua. Ne folëm me Aurelin dhe edhe ai është ende i shokuar e të gjitha i tregon për InfraRed të gazetës KOHA.
KOHA: Aurel, sapo u mbyll një vit dhe ka nisur një tjetër, çfarë le pas dhe çfarë ka në horizont nga ty, në aspektin profesional dhe në atë personal?
Ishte një vit plot me angazhime në fushën profesionale duke patur parasysh videoklipet që u hodhën në treg, koncertet si në teatrin ku unë punoj po ashtu dhe në ambiente të ndryshme si brenda dhe jashtë Shqipërisë, ku përveç lodhjes kam kaluar një vit plot emocione dhe satisfaksion. Për vazhdimësinë jam duke planifikuar materiale të reja për tregun muzikor.
KOHA: Në festivalin e fundvitit në RTSH ti u prezantove me një kënge shumë të bukur madje ishte pretendente për çmim. Por ndodhi e papritura dhe kënga u s’kualifikua nga finalja. Çfarë ndodhi?
Vërtet kënga e festivalit është shumë e bukur, ndoshta kjo bëri që dhe të penalizohet. Nga kjo që ndodhi u vërtetua edhe njëherë që në Shqipëri nuk ka meritokraci në art, por si gjithmonë duhen patur miq për të bërë hapa të sigurt. Nuk dihet si dhe pse u s’kualifikua, te gjithë janë çuditur madje dhe juria (qesh).
KOHA: Ke ndonjë merak që do t’a përcjellësh për ndjekësit e tu?
Katër ndjekësit e mi më kanë dhënë dashuri dhe mbështetje nuk kam asnjë merak pasi janë me sy e me veshë dhe e njohin realitetin e vendit ku jetojmë, e meqë është fillimi i një viti të ri i uroj vetëm ditë të lumtura të gjithë shqiptarëve kudo janë në çdo skaj të botës!
KOHA: Këngës “Të dua ty” mendon ti realizosh ndonjë klip?
Nuk e di a do ketë video për këngën “Të dua ty” jam duke e menduar pasi ajo tashmë është në kanalin youtube, por dhe mund t’i bëj jam skeptik.
KOHA: Ku e kalove natën e ndërrimit të viteve?
Si çdo vit ndërrimi i viteve më gjeti në punë, duke kënduar. Këtë vit isha në Tiranë, me miken time Blerina Braka ku vërtet kaluam një mbrëmje pune me shumë sukses!
KOHA: Një këngëtar quhet i arrirë nëse merr shumë duartrokitje apo shumë klikime?
Të gjitha vlerat duhen reale klikimet dhe blihen, por çdo gjë ka vlerën e vet, suksesi është kur këndohen këngët e këngëtarit në mbrëmje muzikore!
KOHA: Çfarë do dëgjojmë së shpejti nga Aurel Thëllimi?
Ende nuk kam diçka konkrete por do kemi një material të ri, sigurisht! Të shpresojmë të jetë i duhuri.