Revista e njohur gjermane “Auto Bild” është duke u marrë me gjeneratën e re të Audi A6, ku sipas raportimeve të mëparshme dizajni i gjeneratës së re të A6 frymëzohet nga modeli i ri A8 dhe koncepti i ri Prologue. Kreu i departamentit të dizajnit në kompaninë Audi, Marc Lichte me rastin e prezantimit të konceptit të ri Prologue në panairin e veturave në Los Angeles në vitin 2014 pati thënë se “fjalori i dizajnit të kompanisë” ka ndryshuar, transmeton Koha.net.
Kjo është vërtetuar edhe me rastin e prezantimit të gjeneratës së re të Audi A8. Megjithatë, gjenerata e re e A6 do të jetë në dispozicion me platformën MLB Evo, që nënkupton se vetura do të peshojë më pak për rreth 100 kilogramë. Përveç dizajnit të mrekullueshëm dhe zvogëlimit të peshës, A6 i ri (me emrin e brendshëm të kompanisë – C8) do të karakterizohet edhe me përmasa pak më të mëdha, do të jetë më ekonomik, me motor të fuqishëm, enterier më të gjerë dhe më të rehatshëm (me kabinën virtuale të Audisë), më shumë hapësirë në bagazh, si dhe me sistemet e ndryshme duke përfshirë sistemin për ndihmë të shoferit.
Sipas disa njoftimeve të mëparshme, A6 i ri pritet të vijë edhe me sistemin gjysmë-autonom, amortizatorët me ajër, dritat e përparme laserike, dritat e pasme OLED, dritat Matrix, etj. Sa i përket motorit, konsumatorëve do t’iu ofrohen motorët benzinë dhe dizel me 4 dhe 6 cilindra. Për shembull, versioni S6 do të ketë motor benzinë V6, ndërsa RS6 do të ketë motor V8 me kapacitet prej rreth 600 kuajfuqi (motor i përforcuar 4.0-litër nga Porsche Panamera Turbo).
Po ashtu, konsumatorëve do t’iu ofrohet edhe versioni Plug-in hibrid me kapacitet mbi 350 kuajfuqi. Gjithashtu, përveç Sedanit Audi A6 i ri do të ofrohet edhe në version karavan Avant dhe versioni për të gjitha terrenet – Allroad Quattro. Audi A6 i ri pritet të dalë për shitje gjatë vitit të ardhshëm me çmim, në Gjermani, prej rreth 44.000 euro për versionin bazë.